Bylykbashi: PS zvarrit hetimin për Ballukun për të intimiduar dëshmitarët dhe për të prishur provat

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, gjatë konferencës për shtyp, u shpreh se mazhoranca socialiste po zvarrit me qëllim hetimin e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku.

Ai theksoi se deputetët socialistë, me në krye kryetarin e Kuvendit, veprojnë me “urdhër të qartë” për të bllokuar dhe vonuar procesin, me synimin që ministres t’i jepet kohë për të intimiduar dëshmitarët dhe për të prishur provat. Qëllimi i kësaj manovre, sipas tij, është t’i jepet kohë ministres Belinda Balluku “të intimidojë dëshmitarët dhe të prishë provat”.

Bylykbashi: Fare shkurtimisht, më lejoni të ritheksoj një fakt. Detyra e parlamentit në procedurën e shqyrtimit të kërkesës për heqjen e imunitetit të një deputeti apo një ministri është fare e thjeshtë. Ai duhet të kontrollojë dhe të verifikojë nëse ekziston një persekutim politik ndaj deputetit apo ministrit që derivon nga vullneti i parlamentit. Nëse një i tillë ekziston, sigurisht mbrohet me imunitet parlamentar.

Nëse nuk ka diçka të tillë, imuniteti parlamentar, apo edhe i ministrave që kanë të njëjtin status si deputetët, nuk mund të shfrytëzohet për asnjë moment si mburojë për krimin, për shkeljen e ligjit apo për abuzimin me interesin publik dhe paranë e qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu, nuk mund të pengojë apo të dëmtojë një hetim të ligjshëm që është në zhvillim.

Për ta përmbyllur këtë, desha të theksoj edhe një fakt tjetër. Ajo që shohim dhe që ju keni parë në të dhënat publike tregon qartë se kjo çështje, me gjithë dimensionin e saj të jashtëzakonshëm, është ndoshta çështja më e madhe që ka ardhur ndonjëherë në parlamentin e Shqipërisë për shqyrtimin e heqjes së imunitetit për një hetim me dimension kaq të madh korruptiv. Ajo është një autopsi e mënyrës së funksionimit të shtetit.

Një shtet që ka në krye Edi Ramën, i cili, përveç krimit të organizuar, ka edhe korrupsionin e organizuar si dy kolona që e mbajnë, ofron shembullin më të qartë se si funksionon një shtet i kalbur. Është gjithashtu një tregues se Edi Ramën nuk e pengon asnjë ligj. Nëse objektivi i tij është përfitimi total dhe kapja e shtetit, ai nuk do të pengohet as nga Kushtetuta, as nga ligji, as nga procedurat që përcakton rregullorja e Kuvendit.

Këtë e pamë edhe në seancën e djeshme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku, me urdhër të qartë, pesë deputetët socialistë, me në krye kryetarin e Kuvendit, kishin vetëm një qëllim: të bllokonin dhe të zvarrisnin hetimin e Prokurorisë së Posaçme, për t’i dhënë kohë maksimale Belinda Ballukut që të intimidonte dëshmitarët dhe të prishte prova.

Ne do të bëjmë gjithçka, siç e tha edhe zoti Bardhi, që sa më shpejt të zhvillohet seanca në vijim dhe që parlamenti i Shqipërisë t’i heqë imunitetin dhe t’i japë rrugë prokurorisë për të paraqitur kërkesën për masën e arrestit.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Në mënyrë antikushtetuese, opozitës nuk i lejojnë Komisionet Hetimore Parlamentare!

Kreu i PD, Sali Berisha theksoi se, opozitës po i mohohet pjesëmarrja në Komisionet Hetimore …