Sipas CNN, situata u përshkallëzua pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilën media amerikane e përshkruan si një nga aleatet më të afërta politike të kryeministrit Edi Rama. Deputetët e opozitës protestuan ashpër ndaj asaj që e cilësojnë si mbrojtje politike që mazhoranca po i ofron Ballukut.
Në pamjet e transmetuara, shihen deputetë të opozitës duke ndezur flakadanë brenda sallës së Kuvendit, duke hedhur ujë drejt kryetares së parlamentit dhe duke u përplasur fizikisht, në përpjekje për të ndërprerë punimet e seancës.
CNN thekson se tensionet janë rritur prej javësh, ndërsa opozita kërkon transparencë të plotë mbi akuzat zyrtare të ngritura ndaj Ballukut dhe lejen për procedimin penal të saj. Sipas raportimit, deputetët opozitarë kërkojnë të njihen me provat dhe dokumentet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
“Kjo skenë kaotike shpërtheu brenda Parlamentit të Shqipërisë pas javësh tensioni për shkak të akuzave për korrupsion ndaj Zëvendëskryeministres.
Siç shihet, deputetë të opozitës ndezin flakadanë, hedhin ujë drejt kryetares së Kuvendit dhe përplasen fizikisht, në përpjekje për të ndërprerë seancën.
Deputetët kërkojnë të shohin akuzat zyrtare të paraqitura kundër Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ishte një nga aleatet më të afërta të Kryeministrit Edi Rama në kabinet.
Balluku akuzohet se ka marrë pjesë në praktika korruptive me qëllim favorizimin e kompanive përgjegjëse për projekte madhore infrastrukturore, përfshirë një tunel dhe Unazën e Madhe në kryeqytet, Tiranë.
Muajin e kaluar, Balluku i cilësoi akuzat si: “baltosje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”.
Prokuroria e Posaçme, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i ka kërkuar Parlamentit të lejojë arrestimin e Ballukut.
Legjislativi, ku partia në pushtet e drejtuar nga Rama ka shumicën, pritet të votojë për këtë kërkesë”, raporton CNN.
Gazeta RD