Deputeti i PD, Bujar Leskaj, së bashku me koordinatorin për Mbikëqyrjen e Analizës dhe Procesin Zgjedhor pranë Degës së PD Vlorë, Aurel Bylykbashi, të premten zhvilluan takime me strukturat e Partisë Demokratike në rajonet 1 dhe 5 të qytetit të Vlorës.
Në fokus të këtyre takimeve ishte thirrja për pjesëmarrje masive në protestën e 22 dhjetorit, analiza e zgjedhjeve të 11 majit, si dhe propozimet e bazës së PD Vlorë lidhur me drejtimin e degës. Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e angazhimit maksimal të strukturave për organizimin dhe suksesin e protestës, e cila u cilësua si një reagim qytetar kundër, sipas tyre, qeverisë më të korruptuar që ka njohur vendi që nga themelimi i shtetit shqiptar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua analizës së zgjedhjeve të 11 majit, ku u diskutuan performancat, problematikat dhe sfidat e hasura gjatë fushatës elektorale. Në këtë kuadër, u evidentuan edhe hapat e nevojshëm për përmirësimin e organizimit dhe forcimin e strukturave të PD në Vlorë në të ardhmen.
Strukturat e PD Vlorë paraqitën propozime konkrete dhe analiza të detajuara, duke shprehur gatishmëri për një angazhim aktiv në zbatimin e strategjive politike të Partisë Demokratike. Demokratët riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për pjesëmarrje të plotë në protestën e 22 dhjetorit.
Në këto takime morën pjesë Kryetari i PD Vlorë, Hysni Sharra, Sekretarja Politike e PD Vlorë, Nada Mecorapaj, ish-kandidatët për deputet Alta Azizi Haluci dhe Mario Runa, ish-kryetari i PD Vlorë Agron Sharra, anëtarë të Kryesisë së degës, si dhe Kryetari i Forumit Rinor të PD Vlorë, Çajup Shehaj.
Gazeta RD