Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar përmes një videoje në rrjetet sociale ndaj projektligjit të qeverisë për kontrollin e investimeve të huaja, duke e cilësuar atë si të vonuar, të mangët dhe pa garanci reale për sigurinë kombëtare dhe standardet europiane.
Ajo u shpreh se ka depozituar në Kuvend një ligj të plotë për screening-un e investimeve të huaja direkte (FDI), të hartuar me mbështetjen dhe ekspertizën e SHBA-së dhe BE-së, por theksoi se u rrëzua nga maxhoranca.
Tabaku shtoi se qeveria vjen me një version të cunguar të të njëjtit ligj, “vetëm pasi krizat e korrupsionit kanë nxjerrë në pah rrezikun real që vjen nga mungesa e filtrave seriozë”.
“Djalli fshihet gjithmonë në detaje,” theksoi Tabaku, duke vënë në dukje se ligji i propozuar nga qeveria parashikon që analiza e sigurisë së investitorëve të huaj të bëhet nga vetë qeveria, një qasje që ajo e konsideron thellësisht problematike, në një moment kur AKSHI është vënë në qendër të akuzave publike si grup i strukturuar kriminal.
Një tjetër problem madhor, sipas Tabakut, është fakti se ligji i qeverisë lë jashtë sektorë jetikë për sigurinë kombëtare si infrastruktura, energjia, teknologjia e informacionit dhe projektet Smart City.
Ajo ngriti shqetësimin se pa një analizë të thelluar dhe të pavarur, askush nuk garanton që investitorët, nënkontraktorët apo burimet e financimit në këta sektorë vijnë nga vende dhe interesa të sigurta.
Deputetja demokrate paralajmëroi se një strukturë e akuzuar për korrupsion dhe abuzim, e cila sot ka në dorë të dhëna sensitive si ato të Gjendjes Civile dhe E-Albania, nesër mund të administrojë edhe tenderë që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë publike, si kamerat e qyteteve.
“Ky nuk është thjesht një ligj për integrimin europian,” u shpreh Tabaku. “Është një çështje normash, standardesh dhe vlerash. Dhe shqiptarët nuk kanë arsye të besojnë se këto mund të garantohen nga një qeveri që po zhytet çdo ditë e më shumë në afera korrupsioni.”
Në përfundim, Tabaku ritheksoi se Shqipëria ka nevojë për një ligj serioz, gjithëpërfshirës dhe të besueshëm për kontrollin e investimeve të huaja, jo për zgjidhje formale dhe gjysmake që rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Gazeta RD