Më 21 dhjetor 2025, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë sekuestruar një pajisje të avancuar përgjimi nga zyra e biznesmenit Ergys Agasi në zonën e ish-Bllokut. Ky aparat kishte kapur me zë dhe figurë të gjithë ata që hynin dhe dilnin nga zyra e tij, duke regjistruar të gjitha bisedat dhe veprimet.
Sipas burimeve të siguruara nga Mashqip “ pranë SPAK-ut, pajisja është duke u hetuar për material të shumtë komprometues që prokuroria ka nxjerrë prej saj. Vendosja e këtij aparati është bërë nga vetë Agasi, me qëllim mbledhjen e informacioneve nga bisedat me zyrtarë të lartë të administratës shtetërore dhe të Policisë së Shtetit.
Aktualisht, kjo pajisje, së bashku me një laptop dhe rreth shtatë telefona të sekuestruar në banesën dhe zyrën e tij, janë bërë prova kryesore në dosjen që SPAK ka ngritur ndaj Agasit, Ermal Beqirit, drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe disa zyrtarëve të tjerë.
Nga regjistrimet e pajisjes së vendosur në ambientet e zyrës së Agasit, është zbuluar edhe takimi i Mirlinda Karçanajt me të. Përveç saj, në biseda dhe takime me Agasin shihen figura të njohura të politikës, drejtues të administratës, përfaqësues të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe emra të drejtorive vendore, si dhe personazhe nga bota e krimit në Shqipëri.
Për shkak të sasisë së madhe të materialeve të gjetura, SPAK ka ndarë dosjen kryesore nr. 20, që përfshin akuzat për kontrabandën e cigareve, duke e ndarë atë në disa fraksione të tjera, si 20/1, 20/2 dhe 20/3. Hetimet po vijojnë për t’u ndjekur nga afër bisedat, takimet dhe përfitimet që Agasi mund të ketë marrë nga administrata shtetërore.
Momentalisht, fokus i hetimeve janë veçanërisht punonjës të Policisë, biznesmenë të përfshirë në call-center-ave dhe bastet sportive, si dhe zyrtarë të tjerë të administratës publike.
Po ashtu, dosja që lidhet me AKSHI-n, ku përfshihen emrat e Agasit, Mirlinda Karçanaj dhe zyrtarë të tjerë, është nxjerrë nga hetimet mbi kontrabandën e cigareve që kalonin nga Shqipëria drejt Greqisë, Turqisë dhe Qipros.
Gazeta RD