Qeveria shqiptare është skualifikuar nga Ministeriali i Energjisë së BE-së. Më 18 dhjetor, ky ministral ka vendosur të ndëshkojë qeverinë shqiptare për shkak të detyrave që Belinda Balluku ishte zotuar të realizonte në sektorin e energjisë, por siç duket nuk ka mundur ti realizojë pasi ka qenë e “zënë’ duke fshehur milionat që ka vjedhur.
Sipas dokumentit të Ministerialit të Energjisë, Shqipëria nuk ka miratuar dhe zbatuar ligjet, rregulloret dhe dispozitat administrative të nevojshme për t’u përputhur me Direktivën e Bashkimit Europian, që lidhet me përgatitjen për rrezikun në sektorin e energjisë elektrike.
“Shqipëria nuk ka transpozuar ende Rregulloren (BE) 2019/941 dhe as ka caktuar një autoritet kompetent për përgatitjen ndaj rreziqeve, pavarësisht se afatet përkatëse kanë përfunduar më 31 dhjetor 2023 dhe 5 janar 2023.“- thuhet në vendim.
Rregullorja (BE) 2017/2196 gjithashtu nuk është transpozuar ende. Shqipëria nuk ka paraqitur Deklaratat e Sigurisë së Furnizimit me Energji Elektrike pranë Sekretariatit, pavarësisht detyrimit të saj sipas nenit 29 të Traktatit.
Vendimi i Ministerialit të Energjisë mendohet se lidhet me tre projekte ku Balluku është investuar personalisht, si TEC-i i Roskovecit, ku dyshohet si investitore edhe një korporatë ruse, anijet energjitike “Tigrat” në Vlorë dhe destabilizimi i linjave të interkonjeksionit europian për shkak të marrëveshjeve korruptive.
Bashkimi Europian ka vendosur se qeveria shqiptare duhet të raportojë gjatë vitit 2026 se çfarë hapash do të ndërmarrë në korrigjimin e problemeve të konstatuara në politikat e energjisë.
“Shqipëria duhet të marrë të gjitha masat e duhura për të ndrequr shkeljen e identifikuar në nenin 1 dhe për të siguruar menjëherë pajtueshmërinë me ligjin e Komunitetit të Energjisë. Shqipëria do të raportojë rregullisht në Sekretariat dhe në Grupin e Përhershëm të Nivelit të Lartë në lidhje me masat e marra në vitin 2026” – theksohet në vendimin e Ministerialit të Energjisë së Bashkimit Europian.
Nëse shkeljet e Shqipërisë nuk janë korrigjuar deri më 1 korrik 2026, Sekretariati ftohet të fillojë një procedurë sipas nenit 92 të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, që parashikon pezullimin e disa të drejtave që rrjedhin nga zbatimi i këtij traktati për palën përkatëse, duke përfshirë pezullimin e të drejtave të votimit dhe përjashtimin nga mbledhjet ose mekanizmat e parashikuar në këtë traktat.

Gazeta RD