“DE TELEGRAAF”: Shpërthen zemërimi kundër shtetit mafioz në Shqipëri!

Shqipëria rrëshqiti të hënën në mbrëmje drejt kaosit. Në Tiranë, një protestë masive kundër qeverisë u shndërrua në një natë të mbushur me zjarr, tym dhe dhunë. Demonstruesit hodhën bomba molotov drejt zyrës së kryeministrit Edi Rama, ndërsa policia ndërhyri ashpër dhe rrugët u kthyen në një fushë beteje.

Nga Nikki van Arenthals, DE TELEGRAAF

Ajo që nisi si një protestë në dukje e rregullt kundër korrupsionit në majat e pushtetit, degjeneroi në kaos të plotë. Kokteje molotov fluturonin në ajër, sirenat ulërinin nëpër rrugë dhe re të dendura tymi të zi u ngritën mbi kompleksin qeveritar.

Katër demonstrues u arrestuan, ndërsa shtatë të tjerë janë ende nën hetim. Dy policë u plagosën. Një protestues pësoi djegie të rënda, pasi i vuri aksidentalisht flakën vetes.

Skandal korrupsioni

Shkaku i shpërthimit të zemërimit rezulton të jetë një skandal i rëndë korrupsioni rreth zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku – një nga bashkëpunëtoret më të afërta të kryeministrit Rama dhe një nga gratë më të fuqishme të vendit.

Sipas prokurorëve të SPAK, njësisë speciale kundër korrupsionit, Balluku ka vepruar si nyja qendrore e një rrjeti, që përmes tenderëve të manipuluar, dyshohet se ka devijuar miliona euro para publike. Jo shuma të vogla, por projekte gjigante. Dyshimet prekin disa nga projektet infrastrukturore më të shtrenjta dhe më prestigjioze të Shqipërisë.

Në shënjestër janë Loti 4 i Unazës së Madhe të Tiranës dhe tuneli famëkeq i Llogarasë, një projekt “prestigji” me vlerë 190 milionë euro – një tunel që tashmë njihet më shumë për vonesat shumëvjeçare, kostot e fryra dhe procedura të mbuluara më shumë nga hija sesa nga transparenca.

Sipas SPAK, tenderët ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që kompanitë e paracaktuara të fitonin gjithmonë. Konkurrentët ose pengoheshin aktivisht, ose nxirreshin jashtë loje. Afatet ndryshoheshin sipas dëshirës, dokumentet përshtateshin dhe rregullat rishkruheshin sa herë që i shërbente interesit politik.

Balluku është shpallur zyrtarisht e dyshuar, është pezulluar nga detyra nga gjykata speciale kundër korrupsionit dhe i është ndaluar largimi nga vendi.

“Shtet mafioz”

Megjithatë, arrestim nuk ka. Dhe pikërisht kjo po ndez zemërimin në rrugë. Si deputete, Balluku gëzon imunitet parlamentar. Vetëm Kuvendi mund ta heqë atë mbrojtje – dhe ky Kuvend kontrollohet fort nga Partia Socialiste e Ramës.

Partia në pushtet refuzon çdo hap. Për demonstruesit, përfundimi është i qartë: për elitën vlejnë rregulla të tjera sesa për qytetarët e zakonshëm.

Zjarri u përhap edhe më shumë kur Gjykata Kushtetuese e riktheu përkohësisht Ballukun në detyrë, pavarësisht hetimit në vazhdim. Kritikët e quajnë këtë një goditje ndaj shtetit të së drejtës. Në rrjetet sociale, gjuha është edhe më e ashpër: flitet hapur për një “shtet mafioz” dhe për një “klikë politike që mbron vetëm veten”.

Ish-kryeministri në krye të protestave

Protestat udhëhiqen nga ish-kryeministri Sali Berisha, lideri i fortë i opozitës, i pranishëm në politikën shqiptare prej dekadash. Me Partinë Demokratike, ai po e mban Ramën prej muajsh nën presion maksimal. Sipas Berishës, dhuna në rrugë nuk është rastësi, por pasojë e pashmangshme e një “shteti të kapur”.

Edhe në Kuvend, tensionet kishin shpërthyer më herët. Javën e kaluar, një seancë parlamentare u kthye në kaos të plotë, kur deputetët e opozitës hodhën bomba tymuese dhe flakadanë në sallë.

U shty e u godit, mikrofonat u shkulën nga vendi dhe shishe u hodhën drejt kryesuesit. Shkak ishte një votim për Avokatin e Popullit, që sipas opozitës ishte vendosur paraprakisht, pa u zhvilluar fare proces real votimi.

Berisha nuk e kursen Ramën: “Nuk ka dhunë më të madhe se plaçkitja sistematike e popullit shqiptar nga Edi Rama dhe ministrat e tij,” deklaroi ai për POLITICO.

Sipas tij, qeveria ka humbur çdo legjitimitet. Mesazhi i tij është i drejtpërdrejtë: “Ai duhet të largohet. Sot”.

Qeveria refuzon dorëheqjen

Kryeministri Rama e sheh ndryshe situatën. Dorëheqje? As që bëhet fjalë. Ai refuzon të tërhiqet, mban partinë të disiplinuar dhe bllokon çdo përpjekje për heqjen e imunitetit të Ballukut. Sipas Ramës, fillimisht duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese, një vendim që pritet vetëm në janar.

Ndërkohë, ai sulmon ashpër SPAK-un, duke e akuzuar për abuzim me pushtetin dhe madje për “arrestime pa proces”. Sipas kryeministrit, institucioni është kthyer në një mekanizëm të pakontrolluar.

Shefi i ri i SPAK, Klodian Braho, u paraqit së fundmi në Kryesinë e Kuvendit me një kërkesë të qartë: heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut.

Balluku, nga ana e saj, flet për “gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra” dhe këmbëngul në pafajësinë e saj, duke premtuar bashkëpunim të plotë me hetimin. Por në rrugë mbizotëron cinizmi: besimi është shuar.

Për shumë shqiptarë, kjo çështje është më shumë se një skandal individual. Ajo simbolizon gjithçka që nuk shkon: një elitë politike që pasurohet, fshihet pas imunitetit dhe ia faturon pa skrupuj koston popullit.

About Redaksia

Check Also

Ish-drejtori i Burgjeve drejt arrestimit/ Krijoi grup të strukturuar kriminal

Ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili, është marrë i pandehur nga SPAK lidhur me hakerimin e …