Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, komentoi zhvillimet e fundit politike dhe veprimtarinë e opozitës në lidhje me skandalet e qeverisë.
Sipas Nokës, Ergys Agasit i janë gjetur pajisje për përgjim, të cilat kanë përdorur për të përgjuar ambasadorë, institucionet e drejtësisë dhe aktorë të politikës. “Unë kam qenë ministër i Brendshëm, nuk ka shans që SHISH të mos nuhasë përdorimin e një pajisjeje të tillë, sepse ata i kanë të gjitha mjetet për ta gjetur këtë,” tha Noka.
Ai shtoi se situata ngre pikëpyetje serioze për SHISH-in dhe veprimet e tij. “Nëse SHISH nuk ka njoftuar institucionet përgjegjëse për këtë gjë, lindin shumë pikëpyetje, sidomos për cenimin e sigurisë kombëtare, qoftë individualisht apo në grup. Kjo është shumë e rëndë dhe nuk duhet neglizhuar,” tha Noka.
Noka theksoi se ka informacion të detajuar për këtë skandal, por se detajet janë të klasifikuara si sekret hetimor. “Hetimet vazhdojnë, nuk mund të flas më shumë. Por, shumë gjëra do të dalin në pah më vonë dhe do të qelbet dynjaja,” përfundoi ai.
Gazeta RD