Skandali me “call center-at”/ Arrestime në nivelet më të larta të policisë së shtetit

Një seri zhvillimesh të njëpasnjëshme po tronditin rrjetin e call center-ave në Shqipëri dhe lidhjet e tyre me struktura të Policisë së Shtetit.

Shpallja në kërkim e Ergys Agasit, pezullimi i nëndrejtorit të Policisë së Tiranës Erjon Ismaili dhe sekuestrimi i telefonit të Drejtoreshës së Krimit Kibernetik, Ervina Gjana, kanë krijuar një situatë alarmi në një sektor që për vite ka qarkulluar miliona euro, që u janë vjedhur nëpërmjet mashtrimit online dhe me telefonata qindra mijëra qytetarëve europianë.

Burime pranë hetimit konfirmojnë për Zoom.al se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH)ka sekuestruar telefonin e Ervina Gjanës dhe ka ushtruar kontrolle në zyrën dhe banesën e saj. Paralelisht, sipas raportimeve, telefoni i është sekuestruar edhe bashkëshortit të saj, Renato Hristiç. Gjana mban një post kyç në Policinë e Shtetit, me kompetenca direkte mbi hetimin e mashtrimeve online, aktivitetin e call center-ave, ndërhyrjet në sisteme informatike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit kibernetik.

Sekuestrimi i telefonave vjen pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit, ku SPAK dyshon se komunikime dhe ndikime të paligjshme kanë shërbyer për rekrutimin dhe emërimin e drejtuesve të Policisë së Shtetit nën ndikimin e grupeve kriminale. Në këtë kuadër, hetimet janë zgjeruar drejt punonjësve të policisë që dyshohet se kanë lejuar aktivitetin e call center-ave, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm brenda strukturave dhe kanë konsumuar vepra të tjera penale.

Po nën dyshimin e aferave me call centera, Erjon Ismaili, nëndrejtor i Policisë së Tiranës është pezulluar nga detyra me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO.

Burimet thanë për Zoom.al se SPAK po e ngushton kështu rrethin e hetimit drejt kupolës së policisë së shtetit dhe kreut të saj, Ilir Proda.

Ky trekëndësh emrash, i lidhur në mënyra të ndryshme me hetimet e SPAK, po shihet si nyja ku ndërthuren interesat e call center-ave dhe miliona eurove që ata vjedhin çdo muaj dhe i pastrojne kryesisht në sektorin e ndërtimit, veçanërisht në Tiranë dhe në bregdet.

Tronditja e skemave të call center-ve

Sektori i call center-ave ka funksionuar prej vitesh si një industri me qarkullim të lartë parash, ku një pjesë e aktivitetit është zhvendosur drejt skemave të dyshimta të mashtrimit online, veçanërisht ndaj shtetasve të huaj. Çdo goditje në majat e policisë dhe në strukturat e krimit kibernetik përkthehet menjëherë në panik, ndalim aktivitetesh, zhvendosje serverësh, mbyllje të përkohshme dhe “pastrim” komunikimesh.

Shpallja në kërkim e Agasit dhe sekuestrimi i telefonave të shefes së zyrës që merret pikërisht me hetimin e call center-ave po shihet nga mashtruesit e call center si fundi i aktivitetit të tyre.  Pezullimi i nëndrejtorit të policisë së Tiranës dhe hetimi ndaj drejtoreshës së krimit kibernetik sinjalizojnë se SPAK po shkon drejt atyre që e kanë garantuar deri tani këtë aktivitet kriminal pëkundrejt përfitimit të qindra mijëra eurove.

Çfarë pritet

Burime hetimore flasin për analizë të thelluar të komunikimeve, verifikim të flukseve financiare dhe bashkëpunim ndërkombëtar për rastet e mashtrimeve online. Çelësi i dosjes mbetet lidhja mes milionave të call center-ave, lidhjes së mashtruesve me kupolën e Policisë së Shtetit dhe pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit dhe jo vetëm.

Për herë të parë pas shumë vitesh, SPAK po jep sinjale se rrjeti i call center-ave po goditet në pikën e duhur. Dhe me çdo telefon të sekuestruar, rrethi i të dyshuarve ngushtohet.

About Krye Redaktor

Check Also

“Aksionin do ua informojmë për çdo hap…”. Mesazhi i Berishës pas protestës

Sali BERISHA Edhe njëherë t’u shpreh mirënjohjen më të thellë ju dhe të gjithë atyre …