Detaje nga lufta brenda organizatës kriminale/ Pengmarrje, kërcënime me vrasje dhe dhunë

Dosja hetimore e SPAK për aferën e AKSHI-t nxjerr në dritë detaje të rënda mbi mënyrën se si një grup personash të lidhur me pushtetin dyshohet se ushtronte presion, kërcënime dhe forma intimidimi për të përfituar nga koncesione dhe procedura publike.

Sipas hetimeve, në këtë skemë presioni nuk ka shpëtuar as ish-ministri Damian Gjiknuri.

Dokumentet tregojnë se më 6 mars 2019, Ergys Agasi ka zhvilluar komunikime me Alqi Bllakon, ku flet për një situatë problematike me Gjiknurin, i cili sipas tij po pengonte realizimin e interesave të grupit.

SPAK vlerëson se këto “pengesa” lidhen me refuzimin ose mosbashkëpunimin e ish-ministrit në lidhje me koncesione dhe emërime të caktuara.

Nga bisedat e sekuestruara, hetuesit identifikojnë se personi i përmendur me nofkën “Labi” është Elgerti Bixha. Sipas dosjes, Agasi synonte ta emëronte Bixhën administrator në një shoqëri private që kishte përfituar një koncesion nga ministria që në atë kohë drejtohej nga Gjiknuri.

Në një mesazh të dërguar po atë mbrëmje, Agasi shprehet me gjuhë kërcënuese, duke lënë të kuptohet përdorimi i personave të tjerë për ushtrimin e presionit.

Sipas prokurorisë, kjo mënyrë veprimi nënkupton shfrytëzimin e lidhjeve me individë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për të frikësuar ose eliminuar pengesat ndaj interesave ekonomike të grupit.

Hetimi e lidh këtë episod edhe me rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, duke theksuar se e njëjta skemë presioni ishte përdorur më herët: ankesa të shumta pranë Komisionit të Prokurimit Publik, bllokime artificiale të procedurave dhe ndërhyrje informale për të ndikuar vendimmarrjen në AKSHI.

SPAK arrin në përfundimin se kemi të bëjmë me një model të qëndrueshëm veprimi kriminal, të ndërtuar mbi kërcënim, presion administrativ dhe përdorim të rrjeteve informale për përfitime të paligjshme.

About Krye Redaktor

Check Also

Tabaku: Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë debat! Janë arratisje nga llogaridhënia!

Nga Jorida TABAKU Kur Kryeministri bullizon gazetarët pse pyesin për korrupsionin qeveritar, problemi nuk janë …