Nga Ndriçim KULLA
Shikoni ndryshimin e çuditshëm politik të tij. Nga mbështetës emocional i SPAK-ut, kur kundërshtarët e tij politikë përndiqeshin – si Enver Hoxha kur ia merrte këngës në zyrë “Për ty, atdhe”, ndërsa Kadri Hazbiu po dënohej me vdekje – sot ai kundërshton vendimet e tij.
Sepse tani ka rënë vetë në çark.
Le të mos iu referohemi të gjitha fakteve që denoncuan farsën e tij elektorale, sepse ato do të përbënin një rrugëtim të gjatë dhe ndoshta do të futeshim në një cikël që nuk do të mbaronte kurrë. Do të ishte me vend të fokusoheshim vetëm në disa momente të nxehta që kanë të bëjnë me skandalin korruptiv të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe me skandalin e sapozbuluar të kopshtit privat të kryeministrit me emrin AKSHI.
Duke përdorur fuqinë e pushtetit dhe supermaxhorancën e fituar prej 83 mandatesh, të kontestuara edhe ndërkombëtarisht, heqjen e imunitetit të zv.kryeministres po e kthen në një maratonë zvarritjesh, ku askush nuk mund të bëjë një parashikim të përafërt se çfarë synon të arrijë me këtë, kur është vetë në çark.
Shkel brutalisht ligjin, Kushtetutën, rregullat, normat dhe arsyen politike, duke u shtrënguar fort për të na vënë hapur përballë absurditetin e diktaturës që ka krijuar.
“Nëse bie unë, do biesh edhe ti”, e paralajmëron Belinda shefin e saj, që është edhe kreu i regjimit.
Kjo ndodhi është një copëz e historive të pafundme që tregojnë se si po funksionon në realitet “Shqipëria që duam” e fotografive dhe portaleve të pafundme të regjimit. Nuk njihet më parë një fakt ku një bashkëpunëtor i sulltanit ta ketë kërcënuar Naltmadhërinë e tij brenda mureve të errëta të Tabir Sarajit.
Janë kapërcyer edhe shembujt më ekstremë të historisë së luftës për para dhe grabitje brenda piramidës së pushtetit. Kjo, por shumë më keq se kaq, është Shqipëria “e të dashurit Edi” të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Kjo është Shqipëria e komisioneres Marta Kos për zgjerimin, e cila, së bashku me Komisionin për Zgjerim, mezi pret Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësimit.
Nuk është hera e parë që kryeministri shqiptar, me statusin e një sulltani, të jetë kërcënuar edhe herë të tjera, si nga ish-bashkëpunëtorët e tij, por edhe nga faktorë të tjerë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe shtypin, i cili ka ofruar prova direkte mbi krimet dhe korrupsionin e tij. Por ai i ka shpërfillur ato, duke u mbështetur në imazhin e rremë të mbrojtjes nga një forcë mistike, fijet e së cilës sot po dalin një nga një në dritë.
Provat e pakundërshtueshme të Belindës, zv.kryeministre në bashkëpunim me të, hapën papritur humnerën përpara syve të tij. Për herë të parë ai pa çarkun që ka mbërthyer trupin e tij. Edi Rama tani ndjen se kamera magjike e së vërtetës, së cilës nuk i ka besuar kurrë, i ka bërë filmim dixhital botës së tij të nëndheshme, të frikshme, të rrezikshme dhe të paimagjinueshme.
Nuk ka, fatmirësisht për ne dhe fatkeqësisht për të, as ngjyra, as fjalë të gënjeshtërta, as shkarravina, e as përgjunjje alla Meloni në labirintet e kësaj bote të errët. Është një botë e ndyrë grabitjesh, gënjeshtrash, manipulimesh, kërcënimesh dhe pushteti.
“Projekti bën 2 milionë euro, por ne do ta bëjmë katër”, udhëzonte Ergys Agasi, eminenca gri e kryeministrit, i cili vendoste realisht për fatin e tenderave, duke sugjeruar se do t’ia thoshte kapos. Po kush është kapua? Nuk ka kapo virtual, sepse kapua virtual mund të shërbejë vetëm si personazh humori, pasi nuk hedh firma dhe nuk rimburson paratë e vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë. Ky është kryeministri ynë, Edi Rama. Shumë tragjike!
Çuditërisht, avokati i tij, Maks Haxhia, i mohon akuzat ndaj tij me pretendimin se nuk ka prova, ndërkohë që janë bërë publike në rrjetet sociale foto të printuara të takimit të Agasit me drejtoreshën e AKSHI-t. Mos gënjejnë fotot dhe printimet?
Këto janë copëza historish që të rrënqethin mishin. Nga errësira e thellë që ka krijuar regjimi i kapos, ato janë dëshmia e pakundërshtueshme se si janë vjedhur paratë tona, si janë vjedhur zgjedhjet, si është falimentuar arsimi, si është varrosur kultura, si është shkatërruar shëndetësia dhe, në fund, si është shpopulluar Shqipëria. Të paimagjinueshme për t’u besuar, por në realitet kjo është qeveria e kryeministrit tonë, që i ka kthyer këto në të vërteta.
Po kush e solli këtë realitet të shkretuar?
Regjimi i Kapos.
Ose, më saktë, regjimi i një skizofreni narcist, për të cilin – siç thotë shkencërisht Vili Pasini, psikiatri italian me famë botërore, në librin “Burrat” – njerëzve të tillë duhet t’u ndërpritet me vigjilencë të lartë rruga drejt paradhomave të pushtetit, e jo më t’u jepet pushtet i plotë dhe të bëhen vendimmarrës, sepse ata gjithmonë gjejnë mënyrën për t’u shndërruar në regjimtarë, ashtu siç është bërë Edi Rama sot.
Ky regjim ka bërë gjëra të pabesueshme për banorët e vërtetë të botës demokratike. Po si është e mundur? Gjithmonë është me vend të shtrohen edhe pyetje të tilla, sepse historia gjen rrugën e saj për t’u përsëritur, edhe në drejtim të kthimeve mbrapa.
Është shumë me vend të kujtojmë indiferentizmin europian të shekullit XIX në lidhje me Shqipërinë e sotme. Çfarë thoshte Eduard Gibbon, historiani dhe politikani anglez, kur Shqipëria sapo dilte nga Perandoria Osmane?
“Është më lehtë të dimë mbi fiset e pyjeve të Amazonës, sesa mbi shqiptarët 100 milje larg kufirit të Europës”, thoshte Gibbon, duke iu referuar distancës Vlorë–Bari.
Fatkeqësisht, në këtë zgrip ka zbritur edhe perceptimi i vërtetë që politika europiane e sotme ka për jetën shoqërore të shqiptarëve. Një indiferentizëm që mund të shpjegohet vetëm nga magjepsja e burokratëve europianë ndaj teknologjisë manipuluese të diktatorit shqiptar, ose nga korruptimi i mundshëm prej mjeshtrit të këtij profesioni.
Do të mjaftonte vetëm nata e errët e ringut të kryeministrit me zëvendësen e tij Belindën në zyrën e tij – një përplasje që doli jashtë mureve dhe mori dhenë – për të kuptuar se çfarë ndodh brenda pallatit të korruptuar dhe të mbushur me krim në të gjitha drejtimet.
Regjimi i Kapos sot është i mbërthyer në çark. Majtas e djathtas, nga do që të shikojë, lojërat dhe dredhitë janë çveshur. Gjurmët e tmerrshme të krimit të tij korruptiv tashmë shihen me lupë dhe nuk do ta shpëtojë më imuniteti i mandatit të vjedhur kryeministror.
“Nëse vërtet ke ndërmend të më dërgosh në burg, atëherë përgatitu. Sepse, kur të vijë dita e llogarisë, është emri yt që do të bërtitet më fort se imi.”
Kjo kacafytje na sjell ndër mend shpellat dhe bodrumet e mafies, e cila sot ka pushtuar dhe zëvendësuar shtetin tonë. Grinden në zyrën e mbretit që ka dëbuar demokracinë, lirinë dhe transparencën, për t’ia hedhur njëri-tjetrit provat e shumta të mëkatit.
Në librin me ese të botuar në vitin 1991, me bashkautor Ardian Klosin, Edi Rama shkruante me entuziazëm se “diktaturat gjithmonë bien”. Rënia e diktaturës komuniste, në fakt, po e provonte këtë tezë.
Po çfarë ndodhi me vetë atë gjatë këtyre 35 viteve të tranzicionit pluralist? Ironia dëshmon se ai u transformua nga një i vetëquajtur idealist në një personazh shekspirian të kohëve moderne, ku grykësia për pushtet e bëri Makbeth: matrapaz, manipulator, kërcimtar, prestidigjator, dizenjator, klloun – korruptues dhe i korruptuar.
Por, sipas përfundimeve të historisë, të vërtetat e kësaj bote nuk mund të fshihen gjithmonë, sidomos kur janë shndërruar në të vërteta të tmerrshme.
Gazeta RD