Sekretari politik i PD dega Elbasan, Sokol Shkelzeni, në një deklaratë për shtyp lidhur me buxhetin për vitin 2026 u shpreh se, për Partinë Demokratike ky buxhet i miratuar vetëm me votat e mazhorancës nuk garanton zhvillim e zgjidhje konkrete për problematikat e banorëve të Elbasanit.
Në deklaratë ai theksoi se dëgjesat publike janë bërë vetëm formale, pa përfshirë grupet e interesit, dhe vendimmarrja ka qenë e mbyllur.
Deklarata
Të nderuar banorë të Bashkisë Elbasan.
Partia Demokratike, dega Elbasan, e kundërshton me forcë buxhetin e Bashkisë Elbasan për vitin 2026, i cili u miratua vetëm me votat e këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak. Pa konsensus, pa dialog institucional dhe në dëm të interesave të banorëve të bashkisë tonë. Ky buxhet i miratuar në mënyrë të njëanshme nuk garanton zhvillim dhe nuk adreson problematikat dhe nevojat prioritare të komunitetit dhe nuk ofron një vizion të qartë për qytetin dhe njësitë administrative të tij.
Dëgjesat publike kanë qenë thjesht formale, pa përfshirë grupet e interesit, shoqatat e biznesit dhe ekspertët e pavarur. Vendimmarrja ka qenë e mbyllur, duke injoruar prioritetet reale të qytetarëve. Buxheti i vitit 2026 parashikon rritjen e barrës fiskale për biznesin dhe familjet elbasanase, ndërkohë që cilësia e shërbimeve si pastrimin, ndriçimin dhe mirëmbajtja janë në gjendje skandaloze. Investimet në infrastrukturë janë të fragmentuara dhe pa një plan afatgjatë, duke u përqendruar në riparime emergjente dhe jo në projekte strategjike. Zonat rurale mbeten të nënfinancuara, duke thelluar hendekun e zhvillimit ndërmjet qytetit dhe njësive administrative. Mjedisi dhe arsimi zënë në buxhet një përqindje të vogël dhe të pamjaftueshme në raport me atë që do të duhej të ishte.
Me keqardhje konstatojmë që një pjesë e madhe e buxhetit dhe taksave të qytetarëve do të shkojë për paga të një administrate të fryrë me militantë partiakë, në vend që këto para të shkonin për bursa studimi apo ndihmë sociale për familjet në nevojë. Rritja e shpenzimeve për administratën rëndon financat vendore dhe nuk përkthehet në shërbime më të mira dhe mbështetje për qytetarët.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike, dega Elbasan, e kundërshton këtë buxhet si të padrejtë dhe jo gjithëpërfshirës. Gjithashtu ne deklarojmë se do të monitorojmë çdo qindarkë të shpenzuar, do të denoncojmë çdo praktikë klienteliste dhe çdo procedurë të dyshimtë të prokurimeve publike. Elbasani meriton një buxhet zhvillimi që i përket qytetarëve. Partia Demokratike do të vijojë të jetë zëri i banorëve të Bashkisë Elbasan dhe do të mbrojë gjithmonë interesin e tyre.
Ju faleminderit!
Gazeta RD