Dështim total i sektit Rama me Diasporën

Nga Bujar Leskaj

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.16/2018, “Për Diasporën”, të ndryshuar” nuk duhet votuar për dhjetra arsye, ndër të cilat, më kryesoret janë arsyet e mëposhtme:

I. Bilanc më shumë se zhgënjyes i politikave për Diasporën

Prej më shumë se një dekadë, sekti Rama në pushtet prodhoi tam-tamet dhe butaforitë tipike të tij, për gjoja vëmendjen dhe kujdesin ndaj Diasporës dhe afrimit të saj me atdheun.

Diaspora shqiptare u shpallsi “pasuri kombëtare”, “motor zhvillimi” dhe “partner strategjik për integrimin europian”. U ngjizën ministri, ministër Shteti, strategji, samite dhe dokumente programore.

Megjithatë, përtej retorikës dhe letrave të prodhuara, bilanci real i politikave nxitëse për Diasporën mbetet më shumë se zhgënjyes. Potenciali ekonomik, financiar dhe profesional i mbi 1.6 milion shqiptarëve jashtë vendit(shifër e EUROSTAT), nuk është shndërruar në zhvillim të prekshëm për ekonominë e vendit.

Sekti Rama miratoi me butafori të madhe Strategjinë Kombëtare për Diasporën 2021-2025, krijoi Ministrin e Shtetit për Diasporën dhe organizoi samite ndërkombëtare. Por, përtej fanfarave dhe deklarimeve, asnjë nga këto instrumente nuk u shoqërua në politika konkrete fiskale, financiare apo institucionale, që ta bënin rikthimin ose investimin e Diasporës në Shqipëri realisht tërheqës.

Diaspora u trajtua vetëm dhe thjesht si element simbolik dhe elektoral, sesa si aktor i mirëfilltë ekonomik. Sekti në pushtet praktikisht dhe konkretisht u tall me përfaqësuesit e nderuar të saj, që i ftoi të vinin në samitet zhurmëshumë, u premtoi botën dhe pastaj i la në cektinë.

Dështimi më i madh i qeverisë Rama është humbja e besimit të Diasporës. Pa besim në shtet, në drejtësi dhe në rregullat e lojës, asgjë nuk mund të funksionojë me Diasporën, sado patriotike dhe e përmalluar ajo të jetë. Ky deficit besimi është sot pengesa kryesore për çdo angazhim ekonomik të Diasporës në atdhe.

II. Dështim i thekshëm për t’i kthyer remitancat në investime

Gjatë gjithë periudhës 2013-2025 të qeverisjes së sektit Rama, remitancat çdo vit i arritën ose tejkaluan të 1 miliard eurot, duke u rritur ndjeshëm vit pas viti. Megjithatë. ato mbetën vetëm dhe kryesisht burim konsumi dhe ndërtimi informal, jo investime prodhuese.

Qeveria nuk arriti (i) të krijojë skema investimi të dedikuara për Diasporën, (ii) të ofrojë instrumente financiare të sigurta dhe të besueshme, apo (iii) të kanalizojë remitancat drejt industrisë, bujqësisë apo teknologjisë.

Si pasojë, remitancat lehtësuan varfërinë, por nuk ndryshuan strukturën e ekonomisë.

Klima e tensionuar dhe e pasigurt e biznesit që sekti Rama prodhoi orë e çast në këto 13 vite, ishte pengesa kryesore për Diasporën. Ajo u përball me pasiguri juridike dhe pronësore, me administratë shtetërore të të politizuar dhe joefiçiente në qendër dhe në pushtet vendor, me korrupsion dhe informalitet të lartë, si dhe me konkurrencë të padrejtë nga ekonomia klienteliste e Ramës.

Në këto kushte, me dhjetëra mijëra përfaqësue të Diasporës preferuan të investojnë në vendet pritëse, jo në Shqipëri.

Politika fiskale nuk dhanë asnjë favor real për Diasporën. Qeveria nuk krijoi asnjë regjim fiskal të veçantë për investitorët nga diaspora. Nuk pati (i) lehtësira tatimore afatgjata, (ii) skema amortizimi të përshpejtuara, apo (iii) trajtim të diferencuar për kapitalin e kthyer nga emigracioni. Diaspora u trajtua njësoj si çdo investitor tjetër, madje shpesh u përball me burokraci edhe më të madhe.

III. Rikthimi i trurit: një premtim i pambajtur

“Rikthimi i trurit” u përdorur për 13 vjet nga qeveria Rama si një nga sloganet më ambicioze të politikave publike. Në dokumente strategjike, programe qeveritare dhe samite me Diasporën, është premtuar me të madhe krijimi i kushteve për kthimin e profesionistëve të kualifikuar shqiptarë nga jashtë vendit.

Për fat të keq, bilanci real tregon se rikthimi i trurit ka mbetur retorikë dhe jo politikë funksionale. Qeveria hartoi strategji, programe pilot dhe platforma promovuese për “brain gain”. Por këto nisma plot bujë nuk u shndërruan në politika të integruara që të lidhin tregun e punës, arsimin, administratën publike dhe sektorin privat.

Në mungesë të një arkitekture institucionale funksionale, rikthimi i trurit mbeti fragmentar dhe rastësor. Hendeku i pagave dhe pasiguria për karrierën në atdhe mbetën barriera të pakapërcyeshme për rikthimin. Qeveria nuk krijoi skema pagash konkurruese në sektorin publik, nuk garantoi karrierë meritokratike,dhe nuk ndërtoi mekanizma për njohjen reale të përvojës ndërkombëtare.

Pa këto elemente bazë, kthimi në Shqipëri mbetet ekonomikisht dhe profesionalisht i pajustifikueshëm.

Një nga pengesat më të forta për rikthimin e trurit ishte politizimi i thellë i administratës publike dhe institucioneve akademike. Profesionistët e Diasporës u përballën me emërime politike, mungesë transparence në rekrutim dhe kufizim të autonomisë profesionale.

Kjo krijon perceptimin, tërësisht të justifikuar, se aftësia dhe përvoja nuk janë faktorë përcaktues për suksesin profesional në Shqipëri.

Rikthimi i trurit nuk lidhet vetëm me paga, por edhe me ekosistemin e dijes. Shqipëria nën Ramën nuk arriti të ndërtojë (i) fonde serioze për kërkim shkencor, (ii) laboratorë dhe qendra inovacioni funksionale, si dhe (iii) bashkëpunim të qëndrueshëm mes universiteteve dhe biznesit.

Si pasojë, studiuesit dhe profesionistët e avancuar të Diasporës nuk panë hapësirë për zhvillim afatgjatë.

Ndërkohë që emigrimi i të rinjve dhe profesionistëve u përshpejtua gjatë dekadës së fundit tek ne, rikthimi i trurit mbeti marginal. Ky paradoks tregon se problemi nuk është mungesa e patriotizmit, por mungesa e kushteve strukturore për një jetë dhe karrierë dinjitoze në Shqipëri, kushte të paofruara nga sekti Rama.

Dështimi për rikthimin e trurit ka kosto të larta, si (i) humbje të kapitalit njerëzor, (ii) produktivitet më të ulët, (iii) inovacion të kufizuar dhe (iv) dhe rritje të varësisë nga remitancat. Kjo minon potencialin e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit

“Rikthimi i trurit” nën qeverinë Rama rezulton një premtim i pambajtur dhe një mashtrim i mirëfilltë, pasi nuk u shoqërua me reforma reale në ekonomi, administratë dhe shtet të së drejtës. Pa meritokraci, paga konkurruese, institucione funksionale dhe ekosistem inovacioni, asnjë strategji nuk mund të bindë profesionistët të kthehen.

IV. Sekti Rama dhe KQZ dështuan plotësisht të garantonin votën e Diasporës në zgjedhjet e majit 2025

Vota e Diasporës është një nga çështjet më të rëndësishme të reformës zgjedhore në Shqipëri. Ajo lidhet drejtpërdrejt me përfaqësimin politik, me besueshmërinë e institucioneve dhe me respektimin e të drejtave kushtetuese të qindra mijëra shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Megjithëse ligji zgjedhor dhe kushtetuta e njohin të drejtën e votimit nga jashtë, qeveria dhe KQZ dështuan në mënyrë të përsëritur ta zbatojnë këtë detyrim edhe në zgjedhjet e 11 majit 2025, duke e kthyer çështjen e votës së emigrantëve në një nga pikat më të errëta të administrimit zgjedhor.

Ligji parashikon qartë votimin me postë, regjistrimin online dhe procedura të thjeshtuara për qytetarët jashtë vendit. Qeveria dhe KQZ nuk krijuan asnjë mekanizëm funksional, as platformë teknike dhe as protokoll administrativ që emigrantët të votojnë në mënyrë të rregullt, duke dështuar me garantimin e sistemeve të sigurta për identifikim, të çertifikuara për dorëzimin e fletës së votimit dhe të audituara për siguri dhe transparencë.

KQZ nuk paraqiti as plan teknik, as kostot e implementimit, as manuale të procedurave të votimit nga jashtë dhe as dokumente sigurie. Praktikisht, nuk ekzistoi asnjë fazë funksionale e projektit.

Edhe pse KQZ deklaroi se “çështja është komplekse”, vonesat e Komisionit ishin të pajustifikuara. Në shumë vende të rajonit (Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kosova) votimi i Diasporës është i konsoliduar. Tek ne, procedurat u zvarritën me muaj të tërë, nuk pati përgatitje të duhur buxhetore dhe as plan operacional, ndëekohë që vendimmarrjet shtyheshin pafund nga KQZ. Kjo reflektoi mungesë vullneti institucional, jo mungesë mundësish teknike.

Sekti rama dhe KQZ realizuan një proces të mjegullt dhe jo transparent të votimit nga jashtë. Komisioni nuk bëri transparente studimet e fizibilitetit, analizat e riskut, propozimet teknike dhe konsultimet me OSBE/ODIHR-in. Përveç deklaratave të përgjithshme, nuk pati as tabela, as dokumente pune dhe as dosje të pasura me të dhëna.

Transparenca mungoi totalisht dhe kjo ushqeu me të drejtë dyshime të arsyeshme për qëllimshmëri.

Qeveria dhe KQZ dështuan për të përfshirë Diasporën në regjistrimin paraprak. Një hap kyç i procesit ishte regjistrimi i zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit. Komisioni nuk krijoi portal funksional, nuk ndërmori fushata informimi, nuk bashkëpunoi me konsullatat dhe ambasadat dhe nuk krijoi kanale komunikimi me komunitetet shqiptare në Europë dhe SHBA.

Prej të paktën tre ciklesh zgjedhorë, OSBE/ODIHR kërkon votimin e emigrantëve, përmirësimin e bazës ligjore, ngritjen e infrastrukturës teknike dhe konsultim të hapur me të gjithë aktorët politikë për votimin nga jashtë.  Asnjë rekomandim thelbësor nuk u zbatua dhe procesi jetik i votimit të emigrantëve u sabotua qëllimisht, përtej farsës dhe masakrës zgjedhore të sektit Rama në pushtet me zgjedhjet e 11 Majit, të ndihmuar dhe të akomoduar nga KQZ.

Dështimi i plotë me votën e Diasporës prodhoi pasoja të rënda, pasi dobësoi besimin e shqiptarëve ndaj institucioneve zgjedhore, dëmtoi integritetin e zgjedhjeve, pengoi zbatimin e standardeve europiane, duke mbajtur sërisht të përjashtuar një komunitet prej gati gjysmë milioni zgjedhësish jashtë vendit. Kjo cenoi imazhin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

xxx

Në tërësi, dështimi i qeverisë Rama me politikat nxitëse për Diasporën nuk është thjesht dështim teknik, por dështim konceptual dhe i qëllimshëm. Diaspora nuk ka nevojë për retorikë patriotike, por për shtet funksional, ligj të barabartë, ekonomi konkurruese dhe politika të qarta e të qëndrueshme, që sekti i sotëm në pushtet është i paaftë dhe jo dëshirues që t’i prodhojë.

About Redaksia

Check Also

Balliu me Krichabaum në Mynih: Lufta reale ndaj korrupsionit kusht për integrimin e Shqipërisë nëBE

Deputeti i PD, Klevis Balliu ka takuar në Mynih, Gjermani, Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit …