Protesta për ujin-Protestë kundër korrupsionit

Nga Bujar Leskaj 

Qytetarët e Vlorës dhanë një leksion të vyer proteste dhe ndërgjegjësimi qytetar. Prej dy ditësh, qytetarë të lirë, të vendosur dhe dinjitozë kanë dalë në protestë për të kundërshtuar gjendjen e jashtëzakonshme që po kalon qyteti, i cili prej më shumë se katër ditësh është lënë pa ujë të pijshëm. Një situatë e papranueshme për një qytet turistik, për një qytet historik dhe për një komunitet që meriton shërbime bazë dhe dinjitet.

Ditën e djeshme, protestuesit e guximshëm vlonjatë dhanë një mesazh të fortë përballë një mbrëmjeje gala të mbushur me karshillëk dhe indiferencë institucionale. Ndërsa qyteti vuante mungesën e ujit, luksit dhe propagandës iu dha përparësi. Me të drejtë, thirrja qytetare që jehoi fuqishëm ishte: “Nuk ka gala, kur jemi pa u la (larë)!” një thirrje që përmbledh realitetin e dhimbshëm dhe revoltën e ndershme të qytetarëve.

Kjo thirrje dëshmon një leksion qytetarie!   Bashkia e Vlorës dhe Ujësjellësi janë shndërruar në dy vatra korrupsioni dhe keqmenaxhimi. Qytetarët sot po përballen me korrupsion flagrant, me vjedhje të hapura dhe abuzime të rënda që kanë shkatërruar një shërbim jetik si uji. Ashtu siç denoncoi publikisht edhe anëtari i Këshillit Bashkiak, Geron Gunbardhi, vetëm për një tubacion vlera e vjedhjes arrin në rreth 400 mijë euro, fonde të zhdukura plotësisht.

Ndërkohë, investimet e keqmenaxhuara ndër vite në Ujësjellës kapin shifrën alarmante prej 110 milionë eurosh, pa dhënë asnjë zgjidhje reale për qytetarët.

I riu demokrat vlonjat, Sekretari Funksional për Marrëdhëniet me Publikun pranë Degës së PD Vlorë, z.Rezenbrik Serjani, theksoi se prefektja e Vlorës duhet të shpallë menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme në qytet, pasi situata po shkon drejt një krize humanitare dhe rreziku real për epidemi është i pranishëm. Ai denoncoi gjithashtu propagandën e drejtorit të përgjithshëm të Ujësjellësit, duke vënë në dukje se autobotet që shpërndajnë ujë në mënyrë alternative nuk janë të pajisura me fletë analize higjieno-sanitare, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.

Me ironi, por me një mesazh të fortë qytetar, z.Serjani u shpreh: “Ujësjellësi po rregullon tuba apo anije kozmike?”, duke denoncuar zvarritjen, paaftësinë dhe mungesën e përgjegjshmërisë institucionale. Mirënjohje dhe falënderim për të gjithë qytetarët vlonjatë që u vendosën në ballë të protestave, duke dhënë një mesazh të qartë qytetar dhe kombëtar: heshtja nuk është më zgjidhje. Masiviteti, guximi, dinjiteti dhe përballja e drejtpërdrejtë me padrejtësinë treguan se shoqëria civile në Vlorë është e gjallë dhe e vetëdijshme; si dhe një falënderim i veçantë për të rinjtë e Forumit Rinor të PD në Vlorë, të cilët po dëshmojnë se angazhimi qytetar është i domosdoshëm për ndryshimin dhe për mbrojtjen e interesit publik.

Protestat duhet të vazhdojnë, kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe babëzisë së sektit Rama!

About Redaksia

Check Also

“Al Jazeera” jehonë revoltës/ Kërkohet largimi i Ramës pas akuzave për korrupsion

Media e fuqishme ndërkombëtare më e madhja në Azi, “Al Jazeera” i ka kushtuar vëmendje …