Presidenti i Paneuropa-Shqipëri, Genc Pollo, ka reaguar sot pas vendimit të Bashkimit Europian për t’i akorduar Ukrainës dhe Moldavisë regjimin ‘roaming like at home’, që u mundëson qytetarëve të përdorin internetin dhe thirrjet telefonike me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre.
Pollo përgëzon palët për këtë hap, duke theksuar se masa është konkrete dhe e ndjeshme për qytetarët. Megjithatë, ai ngriti shqetësimin se Ballkani Perëndimor, ndonëse me popullsi më të vogël se Ukraina dhe gjeografikisht më pranë qendrës së Europës, vijon të mos e ketë përmbushur këtë premtim.
Reagimi i Genc Pollos
Bashkimi Europian i akordoi sot Ukrainës e Moldavisë roaming normal (aq sa kushton interneti e thirrjet në vend; i njohur anglisht si ‘roaming like at home’). Përgëzime të tëra palëve.
Por Ballkani Perëndimor, me popullsi më pak se gjysma e Ukrainës e gjeografikisht më pranë qendrës së Europës ende nuk e sheh të përmbushur këtë premtim.
Pse? Ndoshta e shpjegon Rama në bisedë me median mbasi të mbarojnë pyetjet për Ballukun e Karçanajn. Ose ndonjë Komisionere Zgjerimi mbasi të këpusë ndonjë broçkull për ‘free and fair elections’.
Në fakt hapa si ‘roamingu normal’ janë hapa realiste të integrimit të Shqipërisë/ Ballkanit Perëndimor në BE dhe të ndjeshme për çdo qytetar.
Mbyllja e kapitujve të negociimit në vitin 2027 e anëtarësimi në BE në vitin 2030 janë (le të evitojmë shprehjen ‘broçkull’) jorealiste për shumë arsye. Duke filluar nga statusi ‘RAK’ (regjimi autoritar e kleptokratik) i Ramës e i Vuçiçit.
Prandaj hapat konkretë me pasoja pozitive e të ndjeshme në përditshmëri janë të dobishme. Krahas SEPA-s (tarifa minimale bankare për pagesat me eurozonën) roamingu normal do të ishte shembull konkret pozitiv.
Gazeta RD