35-vjetori i PD Kukës/ Noka: Përballje dhe protesta deri në krijimin e qeverisë teknike!

Partia Demokratike ka shënuar sot 35-vjetorin e krijimit të degës së saj në Kukës, më 5 janar 1991.

I pranishëm në këtë përvjetor ishte sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili deklaroi se Partia Demokratike ndodhet sot përpara misionit për t’i rikthyer jo vetëm Kukësit, por gjithë Shqipërisë, dinjitetin e nëpërkëmbur nga ajo që ai e quajti “narko-regjimi” që, sipas tij, drejton për fat të keq vendin.

Ndërsa drejtuesi i degës së PD-së Kukës, Rrahman Dema, tha se përkulet me respekt për të gjithë themeluesit dhe drejtuesit e degës së Partisë Demokratike në Kukës ndër vite.

Ditën e themelimit të PD-së në Kukës e përshëndetën edhe deputetët e Partisë Demokratike të qarkut të Kukësit, si dhe ndër themeluesit e parë të PD-së, qytetarë të ardhur nga Prizreni, të cilët theksuan se ka ardhur koha që opozita t’i japë sërish një goditje të fortë komunizmit.

Më 5 janar 1991, në shtëpinë e Miftar Gjanes, 15 nismëtarë të parë themeluan degën e Partisë Demokratike në Kukës, duke shënuar një moment historik për pluralizmin politik në zonë.

Ndonëse nuk njoftoi një datë konkrete për nisjen e protestave, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi nga Kukësi se viti 2026 do të jetë një periudhë qëndrese, përballjeje dhe protestash, deri në krijimin e një qeverie teknike.

Noka tha se protesta e 22 dhjetorit ishte një mesazh i qartë për largimin e asaj që ai e quajti “narkoshtet”, duke theksuar se strukturat e PD-së do të mblidhen brenda javës dhe se opozita nuk do të zhvillojë një protestë të vetme, por një seri protestash të njëpasnjëshme.

I pyetur nëse Partia Demokratike po intensifikon marrëdhëniet për të nxitur bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, Noka sqaroi se PD ka nënshkruar një kontratë lobimi për të përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-të.

Ai theksoi se kjo kontratë nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet në Venezuelë. Sipas Nokës, Shqipëria sot është i vetmi “narkoshtet” në Europë, ashtu siç Venezuela është në Amerikën Latine, duke shtuar se Maduro ka pasur një qasje armiqësore ndaj SHBA-së dhe se, sipas tij, një qasje të ngjashme pak a shumë e ka edhe kryeministri Rama në Shqipëri.

Deklaratat, Flamur Noka i bëri gjatë pjesëmarrjes në përkujtimin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në Kukës, më 5 janar, në përvjetorin e themelimit të PD-së në vitin 1991.

About Redaksia

Check Also

“Al Jazeera” jehonë revoltës/ Kërkohet largimi i Ramës pas akuzave për korrupsion

Media e fuqishme ndërkombëtare më e madhja në Azi, “Al Jazeera” i ka kushtuar vëmendje …