Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Gjykata Kushtetuese nuk është gjë tjetër vetëm një organizatë e shpifur e PS.
“Mendoj unë se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj për të pezulluar masën e sigurisë dëshmoi nënshtrimin e saj të plotë dhe total ndaj Edi Ramës.
Ftoj çdo shqiptar të pyesë çfarë morali kanë këta gjykatës apo gjykatëse të gjykojnë në themel masën e pezullimit pasi votuan njëherë për heqjen e saj në kundërshtim me ligjin.
Cili është morali i tyre?
Morali i tyre është zero, në rrafshin ligjor flas.
Ata u nënshtruan, u paritën, u kërcënuan, por morën një vendim në kundërshtim flagrant me çdo praktikë të mëparshme.
Mos harroni se ata nuk legjitimuan kërkesën e një të pestës së deputetëve të opozitës në rastin e Sali Berishës duke deklaruar në mënyrën më të turpshme se nuk legjitimohen ata, por parlamenti.
Një turp i paparë ndonjëherë në një kohë kur neni i Kushtetutës është taksativ, një e pesta e deputetëve legjitimohen për të paraqitur ankesa dhe kërkesa në Gjykatën Kushtetuese.
Prandaj Gjykata Kushtetuese nuk është gjë tjetër vetëm një organizatë e shpifur e PS.
E thashë edhe në mëngjes unë, mblidhen me datën 17 për të të shqyrtuar kërkesën e avoketërve të mi të paraqitur një vit më parë, nuk marrin vendim dhe nuk njoftojnë sikur të ishte shpellë mafie dhe jo një gjykatë me rregullat e veta.
Nuk bëjnë asnjë publik në faqen zyrtare sepse marrin urdhra politikë”, u shpreh Berisha.
Gazeta RD