Nikola KEDHI
IA. Njeriu është burimi. Shteti është mjeti. Jo e kundërta.
Përpara dy vitesh, me kërkesë të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me disa kolegë përpiluam Kushtetutën e Vlerave të së Djathtës, e cila u miratua nga Kuvendi Kombëtar i PD si doktrinë zyrtare e saj.
Prej shumë kohësh kam pasur bindjen që shoqëria shqiptare do të duhet të vendosë se çfarë sistemi, çfarë shteti dhe shoqërie kërkon të jetë.
Sot, duke parë udhëkryqin ku ndodhet vendi, mendoj se ka ardhur koha që këto ide t’i rikthejmë në vëmendje publike, dhe t’i diskutojmë se bashku; për të rihapur një diskutim serioz mbi parimet dhe vlerat që duhet të formësojnë të djathtën shqiptare, dhe shtetin shqiptar.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për rotacion pushteti.
Ka nevojë për ndërtim shteti. Ka nevojë për një vizion afatgjatë të Shqipërisë moderne.
Dhe ndërtimi i një shteti nuk nis nga listat e premtimeve, por nga parimet mbi të cilat ngrihen institucionet, prodhohen politikat dhe ushtrohet pushteti. Është e nevojshme që ne si shoqëri të biem dakord për disa shtylla të pandryshueshme.
Kështu kanë vepruar të gjitha shtetet që kanë funksionuar në histori.
Kanë nisur nga disa ide themelore për njeriun, shoqërinë dhe rolin e shtetit, dhe mbi to kanë ndërtuar institucionet e tyre.
Pjesa e parë, e mbrëmjes së sotme, nis nga parimi bazë:
Njeriu është burimi.
Shteti është mjeti.
Jo e kundërta.
Brenda këtij parimi, postimi i parë trajton një ide thelbësore:
E djathta nis nga individi, jo nga turma.
Individi nuk është material për t’u formatuar nga shteti, por qenie morale, e aftë për zgjedhje, përgjegjësi dhe ndërtim.
Të drejtat dhe liritë e tij burojnë nga Zoti dhe nga natyra e tij njerëzore, jo nga leja e pushtetit.
Nëse e rikthejmë individin në qendër të shoqërisë shqiptare, nëse e forcojmë dhe i japim mekanizmat për t’ia dalë vetë, i lirë dhe i pavarur nga ndihmat e burokracisë, atëherë forcojmë komunitetet, shoqërinë dhe vetë shtetin shqiptar.
I djathti nuk e kërkon vlerën e vet duke u shkrirë në turmë.
Nuk ka nevojë të mendojë si të gjithë për t’u ndjerë i drejtë.
Identiteti i tij nuk buron nga brohoritja, por nga karakteri.
Për këtë arsye, e djathta është në thelb antikonformiste.
Turma kërkon siguri psikologjike.
Individi kërkon të vërtetën, edhe kur ajo është e pakëndshme.
Prandaj e djathta ka qenë gjithmonë kundër mendimit të grupit, modës ideologjike dhe moralizmit kolektiv.
Jo sepse përbuz shoqërinë, por sepse shoqëritë e shëndetshme ndërtohen nga individë të fortë, jo nga turma të bindura.
Vetëm mbi këtë themel mund të ndërtojmë një shtet shqiptar që:
– prodhon politika serioze për të luftuar varfërinë,
– garanton siguri në rrugë dhe në komunitet,
– krijon një marrëdhënie normale mes qytetarit dhe pushtetit,
– përballet realisht me shpopullimin dhe krizën demografike,
– dhe rikthen respektin për ligjin dhe institucionet.
Ky cikël do të vijojë pikërisht kështu:
nga parimet, te institucionet, te politikat konkrete.
Jo për të bindur këdo.
Por për të ndërtuar një bosht të qartë mendimi, pa të cilin asnjë reformë nuk qëndron gjatë.
Kjo është pika e nisjes.
Jo me një slogan.
Por me një rend ndërtimi.
Gazeta RD