Opozita ka njoftuar se do të përgatisë një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj Kryetarit të Kuvendit, duke e akuzuar atë për bllokim të qëllimshëm të drejtësisë dhe mbrojtje të aferave korruptive të qeverisë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat, është shprehur se çdo ditë që drejtësia nuk vepron ndaj akteve korruptive të qeverisë Rama është një ditë ku qytetarëve u vidhen para nga xhepi.
Bardhi i kujtoi Ramës një Kod Etike të miratuar në vitin 2022, i cili ua ndalonte ministrave takimet me biznesmenët, një rregull që sipas tyre shkelet hapur kur Kryeministri jep urdhra me SMS për dhënie tenderash.
Deklarata
Çdo ditë që nuk vendoset drejtësi për aktet korruptive të qeverisjes së Edi Ramës, është një ditë ku secilit prej jush i vidhen nga xhepi para nga qeveria, nga Edi Rama, nga Belinda Balluku dhe nga Belinda Ballukët e tjerë në qeverinë e Edi Ramës. Sigurisht që me përgjegjshmëri të plotë, ne pesë anëtarët e opozitës do të vijojmë, të këmbëngulim për shqyrtimin pa vonesa të kërkesës së prokurorisë. Sot ka skaduar edhe afati tre javë kohë që i dhanë të pandehurës Balluku.
Duke nisur nga dita e nesërme, çdo sekondë vonesë nga thirrja e mbledhjes, nënkupton shpërdorim detyre, pra kryerjen e një krimi nga ana e kryetarit të Kuvendit, i cili në kundërshtim me rregulloren, ka vendosur të bëhet palë për të penguar drejtësinë.
Dhe pa asnjë diskutim që ne do të përgatisim me përgjegjshmëri të plotë edhe një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit. Ky dokument që është ligj dhe çdo veprim i kryer në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, ka pasoja ligjore.
Kryetari i Kuvendit nuk mund të tallet me Kuvendin. Kryetari i Kuvendit nuk merr urdhëra nga të korruptuarit, por duhet të zbatojë ligjin dhe t’i shërbejë interesit publik. Kryetari i Kuvendit nuk është ushtar i Belinda Ballukut. Edhe pse ajo e ka ndihmuar që të jetë sot kryetar i Kuvendit. Se është zgjedhja personale e Belinda Ballukut, Niko Peleshi, në krye të Kuvendit të Shqipërisë.
Po kjo nuk nënkupton që kryetari i Kuvendit mund të tallet me Prokurorinë e Posaçme, që kryetari i Kuvendit mund të tallet me drejtësinë, që kryetari i Kuvendit mund të tallet me qytetarët, që duan drejtësi dhe duan luftë ndaj korrupsionit. Është guxim i madh të marrësh në mbrojtje një të korruptuar që me dokumenta të prokurorisë, të faktuara, nuk po lexoj këtu SMS-të se mund t’jua lexoj, një të korruptuar që ka abuzuar me 1.1 miliardë euro. Dhe del pastaj kryeministri si kloun edhe thotë do takoj çdo biznesmen që unë dua.
E mbani mend se ju e keni raportuar propagandën e tij që në 2022-shin dhe e ndjekje qartë dhe që asnjë media nuk ia kujton, në 2022-shin na shitën si propagandë të madhe që kishim miratuar një kod etike që ministrave nuk i lejohej të takonin biznesmen. Është në fuqi ai kod etike. Po ku kapet me SMS Edi Rama që i thotë, shko takoi je pak X-in edhe Y-in edhe meqënëse i kam premtuar unë, jepi pak tenderin 15 milionë euro të Porto Romanos, nuk ka problem.
Shkelet ligji, shkelet kushtetuta, s’pyetet për kod etike, dhe del edhe thua që unë do takoj çdo biznesmen se nuk pyes për njeri. Koha ku ti nuk pyesje për njeri, nuk pyesje për kushtetutë edhe nuk pyesje për ligj, ka ca kohë, ka ca muaj që ka perënduar dhe do shikosh që do të pyesësh edhe për ligj, edhe për kushtetutë, edhe për drejtësi, do të japësh llogari për çdo aferë korruptive që ke drejtuar personalisht.
Gazeta RD