Reshjet e dendura të shiut kanë rikthyer përmbytjet në fshatin Trush të Shkodrës, duke izoluar dhjetëra familje dhe duke e bërë të pamundur lëvizjen normalisht. Rruga kryesore është e mbuluar nga uji, ndërsa banorët shprehen të revoltuar dhe të braktisur nga pushteti vendor, duke kërkuar një zgjidhje urgjente.
Një prej banorëve të zonës, i rrethuar nga uji, shprehet për SYRI-n se situata është bërë e padurueshme dhe se ndihen të tallur nga Bashkia e Shkodrës.
“Jemi bërë si me qenë Venecia. Turpi i madh i Zotit, ne s’dimë nga të shkojmë,” thotë ai, duke shtuar se fëmijët e tyre nuk mund të shkojnë në shkollë për shkak të rrugës së bllokuar. “Fëmijët i kemi lënë në shtëpi. Mësuesit na marrin në telefon, por çfarë t’u themi?”
Sipas banorëve, shkaku kryesor i kësaj situate të përsëritur është bllokimi i një kanali kullues. Ata pretendojnë se ndërhyrjet e deritanishme kanë qenë sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme.
“Kanë ardhur, kanë pastruar 10 metra kanal dhe kanë ikur. Kanali duhet të pastrohet siç duhet. Kanë ardhur si me qenë te gardhi me lopata”, shprehet një tjetër banor.
Mes dëshpërimit dhe zemërimit, ata i bëjnë një thirrje të drejtpërdrejtë kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Becit që të vizitojë zonën dhe të shohë nga afër gjendjen e tyre.
“I bëj thirrje kryetarit të bashkisë, ta sjellë kokën njëherë nga zona e Trushit. Të vijë të na shohë, se vjen vetëm kur ka nevojë për vota,” thotë një prej tyre, duke theksuar se i vetmi përfaqësues politik që ka treguar interes ka qenë deputeti Besnik Brahimi.
Me çizme nëpër këmbë dhe me ujin që kërcënon t’u hyjë në banesa, rreth 20 familje në këtë zonë ndihen të abandonuara dhe kërkojnë një ndërhyrje të menjëhershme për të normalizuar jetesën e tyre dhe për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës.
Gazeta RD