Manifest ideor i të djathtës shqiptare (vazhdim)!

Nga Nikola KEDHI

Pjesa IB. Karakteri mbi bindjen, identiteti individual mbi ndarjet artificiale

Historikisht, e majta e ka ndërtuar identitetin përmes përkatësisë.

Klasë.

Grup.

Kolektiv.

Kauzë.

Ajo e ndan shoqërinë në kategori dhe më pas sundon mbi këto kategori, shpesh duke i vendosur kundër njëra-tjetrës.

Politika kthehet në menaxhim grupesh, jo në ndërtim të një shoqërie të qëndrueshme. A nuk ka ndodhur kjo gjë dhe në Shqipëri?

E djathta nis nga një logjikë tjetër.

Ajo ndërton identitet përmes karakterit personal, aftësive dhe meritës së gjithsecilit, në institucione, tregje, e gjithkund.

Nuk është grupi që krijon individin, por individi i fortë që krijon familje të forta, komunitete të forta dhe, në fund, një shoqëri të shëndetshme.

Për këtë arsye, e djathta flet për:

– përgjegjësi

– disiplinë

– punë

– meritë

– vetëkontroll

Jo sepse janë fjalë të bukura apo moralizim bosh, por sepse kemi bindjen e plotë se pa këto virtyte, liria shkatërrohet nga brenda.

Një shoqëri që nuk kërkon karakter, përfundon duke kërkuar gjithmonë më shumë kontroll.

Një shoqëri pa vetëkontroll, e zëvendëson lirinë me mbirregullim.

Një njeri pa karakter kërkon gjithmonë një autoritet që ta udhëheqë. Një njeri me karakter kërkon vetëm hapësirë që të veprojë vetë.

Kjo është ndarja themelore politike.

Një shoqëri e ndërtuar mbi përkatësinë prodhon klientë, jo qytetarë.

Një shoqëri e ndërtuar mbi karakterin prodhon individë që mbajnë përgjegjësi edhe kur nuk i sheh askush.

E para ka nevojë për kontroll të vazhdueshëm. E dyta funksionon sepse njerëzit qeverisin veten.

Komunizmi u përpoq ta zëvendësonte karakterin me bindje. Tranzicioni e zëvendësoi me interes afatshkurtër, qeverisja e tanishme socialiste me propagandën është përpjekur të bindë qytetarët se neutraliteti, tërheqja janë virtyte dhe jo humbje e kontrollit të secilit mbi fatin e vet.

Detyra jonë është ta rikthejmë karakterin si themel të lirisë. Një shoqëri pa karakter kërkon gjithmonë më shumë rregulla, më shumë mbikëqyrje dhe më pak liri reale.

E djathta nuk kërkon qytetarë të bindur. Kërkon qytetarë të lirë, por të angazhuar. Kërkon individë që e refuzojnë atë që unë quaj Shoqëria e Tërheqjes (the Exit Society), dhe me të gjithë kostot që mund të dalin, të rikthehen në arenën publike, të kërkojnë vendin e tyre, dhe të rimarrin vendin e tyre mbrapsht.

Në Shqipëri e majta është munduar ta vrasë këtë tipar natyror të individit. Ne duhet ta rikthejmë.

Pa qytetarë të lirë, pa përfshirje në sferën publike, pa një braktisje të neutralitetit, nuk ka as demokraci që funksionon, as shtet që qëndron gjatë. Shteti që do duhet të ndërtojmë fillon me forcimin e kësaj lidhje mes individit, karakterit dhe angazhimit publik

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Dhuna e Ramës është shenja e fundit e një narkoshteti në rënie! Ne nuk trembemi!

Deputeti i PD, Belind Këlliçi duke folur në ‘Foltoren’ tek kryeministria theksoi rolin historik të …