Iva Grillo: Koha për qartësi politike dhe një front të përbashkët përballë kapjes së shtetit!

Mirëdita të gjithëve,

Unë quhem Iva Grillo. Në fakt, unë nuk jetoj në Shqipëri, por jam ndjerë e detyruar të jem sot këtu dhe mendoj se ndoshta prezenca ime mund të lexohet edhe si një prezencë simbolike, për të treguar që në momentet aktuale në të cilat ndodhet vendi, duhet qëndresë dhe duhet kontributi i secilit.

Dhe mendoj se, ashtu siç ka njerëz të shqetësuar këtu në Shqipëri, ka edhe plot jashtë Shqipërisë, të cilët e duan vendin, janë të shqetësuar për situatën në Shqipëri dhe presin ndryshim: rënien e një regjimi i cili e ka kapur plotësisht shtetin.

Për ta thënë shkurt, unë në fakt doja të shprehja një lloj mbështetjeje për mënyrën e qasjes së zotit Ermal Hasimja, ndoshta edhe të zonjës Meri Lika, e cila foli pak më parë.

Mendoj se është momenti që drejtuesit politikë të partive politike, qofshin këto opozitare, qofshin partitë e mëdha tradicionale, ashtu edhe ato të reja apo lëvizjet e reja, duhet të përdorin të gjitha aftësitë e tyre, si ato të leadership-it, ashtu edhe ato negociuese, diplomatike e të tjera, për të krijuar një front të përbashkët përballë regjimit.

Ashtu siç i kërkohet Partisë Demokratike, që është partia më e madhe, këtu po flas si qytetare, unë nuk jam anëtare e kësaj partie, mendoj se duhet t’u kërkohet me të njëjtën forcë edhe forcave të reja, partive të reja, që të pozicionohen në mënyrë shumë të qartë se cili është objektivi i tyre.

Dhe nëse objektivi i tyre është rënia e regjimit rilindas dhe e Ramës, atëherë mendoj se ka elementë mbi të cilët mund të negociohet dhe mund të bihet dakord për mënyrën se si do t’i përballemi dhe si do t’i qëndrojmë përballë këtij regjimi.

Prandaj është shumë e rëndësishme që në fillim të qartësohen objektivat mes të gjitha partive politike. E dyta, sigurisht që një peshë më të madhe e mbajnë partitë tradicionale për mënyrën se si do të arrijnë të tërheqin dhe të bëjnë bashkë frontin opozitar, i cili në këtë moment është i pashmangshëm.

Siç u tha edhe më përpara, nuk kemi luksin të humbasim asnjë votë, asnjë mbështetje. Ndoshta ende nuk ka ardhur puna te votat dhe nuk do të vijë për një kohë të gjatë, por mbështetja e të gjithëve është thelbësore.

Në këtë rast, mendoj se jo vetëm protestat, por edhe rezistenca qytetare, siç u përmend edhe pak më parë, bllokimet e rrugëve, mbështetja e protestave që lindin spontanisht nga njerëzit, janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Deputetët opozitarë, aktivistët, duhet të jenë të gjithë aty ku ndodh një qëndresë. Aty duhet të jenë ata. Nuk duhet të ketë vonesa, sepse vetëm kështu krijohet ajo masë kritike.

Dhe për ta mbyllur, sepse nuk dua ta zgjas, mendoj se është shumë e rëndësishme të ketë një presion të vazhdueshëm dhe një ndikim konstant, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj. Jo për të treguar kokëfortësi, por për ta bërë shumë të qartë kërkesën që, ashtu siç qëndrohet pranë qeverisë Rama apo shtetit shqiptar kur pretendohet se ka arritje, po ashtu duhet qëndruar përballë dhe duhet bërë kritikë, ose më mirë, duhet pasur një distancim higjienik i faktorëve ndërkombëtarë nga persona dhe elementë të korruptuar të qeverisë Rama.

Nuk mund të vazhdohet në mënyrën që për arritjet të ketë lavdërime, ndërsa për skandalet e mëdha të mbizotërojë heshtja. Në këtë moment, ky pozicion jo vetëm që është i kontaminuar, por mendoj se është edhe një tradhti e madhe ndaj kontributeve të qytetarëve europianë, përfshirë edhe ata nga vendi ku jetoj unë, të cilët besojnë se kontributet dhe taksat që shkojnë për Bashkimin Europian shërbejnë për rritjen e mirëqenies së njerëzve, për forcimin e Bashkimit Europian dhe për rritjen e sigurisë.

Nëse nëpërmjet tyre ushqehet një narkoregjim, atëherë përgjegjësia maksimale bie edhe mbi ata përfaqësues që ndodhen këtu në Shqipëri, të cilët duhet të ngrenë alarmin dhe ta çojnë atë deri në nivelet më të larta hierarkike.

Prandaj, në mënyrë modeste, do t’u këshilloja të gjithë politikanëve shqiptarë që të mos kenë asnjë kompleks për të kërkuar një qëndrim shumë të qartë të faktorëve ndërkombëtarë përballë qeverisë Rama.

Faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Imuniteti i Ballukut, Berisha: Rama po përdor deputetët për t’i mbyllur rrugën drejtësisë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Edi Rama po shfrytëzon 83 mandatet në …