Përmbytjet e qyteteve që rrëzuan fasadat e rilindjes urbane!

Nga Ylli ASLLANI

Pamjet e përmbytjeve që po cfaqen në qytetet tona pas shirave janë vërtetë rrënqethëse… Sistemi shqiptar i mbrojtjes nga rreziqet e permbytjeve ka rënë!

Banorët po përjetojnë situata apokaliptike, edhe pse furria e shirave është normale për tu menaxhuar. Shpërthimi i ujërave kërcënon jetë qytetarësh, po shkatërron, prona, pasuri shqiptarësh, si dhe cdo gjë që i ka dalë përpara si gardhe, murre rrethues dhe dyer banesash…

Rrjeti amortizuar i kanalizimeve, hidrovorëve, kolektorëve dhe pritave ka dalë jashtë luftimit që në orët e para!

Projekti 2 milard euro i qeverisë për fasadat e Rilindjes Urbane, në zhvillimin e qëndrave të qyteteve të kujton me dhimbje në këto momente shprehjen popullore, hunda në qiell dhe të pasmet në diell…

Nuk ke cfarë ti bësh! Janë kapricot e motit, do të mendonte dikush…

Brenda këtij fakti e vërteta është se sistemi i mbrojtjes nga rreziqet e permbytjeve ka rënë nga megalomania fallce, korrupsioni endemik, militantizmi pa kriter dhe mungesa e vizionit!

Kështu emergjencat civile bashkë me punonjësit e kanalizimeve janë të braktisur në betejën e tyre të dëshpëruar për shbllokimin e pusetave, riparimin e kanaleve kullues, linjave, elktropompave dhe përforcimin e baseneve të ujit.

Në një shtet serioz gjithë kjo përpjekje tashmë e dështuar do të duhej të ishte paraprirë sipas një kalendari teknik të mirëmbajtjes së rrjeteve përkatës dhe investimeve në kohën e duhur.

Mos harrojmë se rimonti i rrjetit të kanalizimeve kryhet pikërsht në stinën e verës! Por askush nuk diskutonte atëhere për vërshime ujrash, rritje fondesh, investime dhe masa konkrete për pastrimin dhe riokonstruksionin e kanaleve kullues, digave dhe argjinaturave!!

“ Vallëzoni tani e dashur gjinkallë meqë në verë kënduat ”, më shkojnë ndër mend vargjet e La Fontenit

Pra janë disa punë dhe probleme të dimrit, të cilat janë të destinuara të zgjidhen posacërisht në një stinë të thatë! Megjithëse fjala punë në këto ditë tingëllon disi jo normale për veshët e kësaj qeverije..!

Le të flasim për disa punë që duhet të kryhen!

Gjithsesi, kjo situatë që po ndodh le të na shtyjë të flasim për disa punë që duhet të mos neglizhohen, si dhe disa kapricio që lihen përgjatë cdo sezoni.

Së pari.

Menaxhimi i territorit, fatkeqësive natyrore dhe ruajtja e pasurisë monumentale nuk mund të jenë jashtë kodeve teknike, standarteve dhe studimeve afatgjata.

Qeveria dhe bashkitë duhet të aprovojnë dhe zbatojnë me rigorozitet studime të plota sizmike, gjeologjike, hidroteknike për menaxhimin e rreziqeve në territorin e tyre në dritën e situatave që po perjetojmë.

Këto plane menaxhimi duhet të aprovohen në cdo Këshill dhe në KRRT të Republikës.

Bashkitë shqiptare kanë nevojë për hartimin e një rregulloreje teknike (Statuti) të menaxhimit të qyteteve dhe krejt territorit e tyre.

Statute, të cilat do të vendosin disiplinë teknike dhe rregulla të forta për menaxhimin e ndërtimeve, mbrojtjen nga fatkeqësitë dhe ruajtjen e territorit.

Së dyti, mungesa e fondeve emergjente është asfiksuese.

Në qytetet tona dhe zonat përreth investimet në kanalizime janë te pamjaftueshme, sporadike, te copëtuara dhe jo të mirëmenduara.

Për kujtesë, fondi rezervë për vitin 2025 në menaxhim e emergjencave dhe fatkeqësive është ulur me 22.9%. Me këtë buxhet qytetarët shqiptarë janë të ekspozuar edhe më tepër para katastrofave sidomos përmbytjeve dhe zjarreve!

Pra ka pamjaftushmëri financimi në funksionet e transferuara si mbrojtja sociale, vaditja, kullimi, digat, rrugët rurale, shkarrjet, mbrojtja e pyjeve dhe parandalimi rreziqeve, të cilat janë jetike sidomos për qytetarët në zonat delikate dhe periferike.

Së treti, përqëndrimi I ndërmarrjeve të ujësjellës kanalime në duar të qeverisë dhe militantëve partiakë ka nxjerrë jashtë funksionit real qeverisjen vendore dhe bashkitë.

Në këtë mënyrë këshilltarët bashkiakë janë shprehës të politikave jo efeciente të rilindjes urbane në qytete dhe kanë lenë pas dore politikat strategjike rajonale dhe investimet e duhura në menaxhimin e fatkeqësive, si dhe shërbimet e rrjetit të dranazhimit dhe kanalizimeve.

Si rrjedhojë e kësaj qindra mijëra banorë janë edhe sot pa mbështetje, pa mbrojtje dhe në mëshirë të forcave të natyrës.

Së fundi

Por jo nga rëndësia, Reforma Administrative e Territoriale e vitit 2014 dhe strukturat e dala prej saj kanë dështuar duke shkaktuar pasoja shumë të rënda për funksionimin menaxhimin dhe stabilitetin demokratik, ekonomik e shoqëror të njësive vendore.

Qeverisja vendore po i largohet gjithmonë e më shumë qytetarëve, halleve dhe zgjidhjes së problemeve që ata kanë. Furia e pushtetit qendror në marrjen e kompetencave, zaptimin e territoreve dhe pasurive lokale është bërë shqetësuese!

Në zonat me probleme dhe larg qendrës së bashkive shërbimet publike dhe investimet në infrastrukturë mungojnë totalisht. Kështu qytetarët ndodhen të ekspozuar para rreziqeve e fatkeqësive natyrore pa patur mbrojtjen përkatëse civile vendore.

Pas kësaj tabloje të zymtë dhe dëmeve pa fund natyrshëm lind pyetjet: A do të mbajnë përgjegjësi shkaktarët e këtij dështimi historik, dhe së dyti a mundet të rishkruajnë dhe zbatojnë një strategji të daljes nga situata katastrofike natyrore autorët e kësaj fatkeqësie!

Le të mendojmë që tani në dimër për punët që duhen kryer në pranverë dhe vjeshtën që vjen!

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Edi Rama ka frikë! Dhuna nuk i ndal dot protestat e qytetarëve të lirë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, ka reaguar pwr dhunwn e ushtruar nga …