Qytetarë të revoltuar protestuan këtë të premte para Bashkisë së Durrësit, në shenjë pakënaqësie dhe zemërimi pas përmbytjeve masive që përfshinë qytetin bregdetar.
Protestuesit akuzuan kryetaren e bashkisë, Emirjana Sako, për paaftësi, mungesë investimesh dhe korrupsion, duke e cilësuar si “kukull politike që del vetëm për show”.
Ata thane se përmbytjet në qytet janë pasojë e mosfunksionimit të shërbimeve bazë, mungesës së pastrimit të kanaleve dhe mosmirëmbajtjes së pusetave. “Nuk kanë pastruar asnjë pusetë, nuk kanë investuar, vetëm kanë vjedhur paratë e qytetarëve”, shprehen protestuesit.
Një prej qytetarëve u shpreh se taksat paguhen rregullisht, ndërsa shërbimi mungon:
“Ne paguajmë miliona euro që bashkia i mbledh çdo vit. Njoftojmë për pusetat e bllokuara dhe nuk vjen njeri. Currila është e gjitha e mbytur. Erdhi njëherë me punëtorët, bëri 3-4 foto dhe iku. Kemi administratë të blerë, patronazhistë që marrin rrogat dhe s’punojnë. Duhet të largojmë edhe ujin, edhe këta hajdutë. Nuk ka investime, nuk ka pastrim — vetëm show,” deklaroi ai.
Reshjet e ditëve të fundit kanë goditur pothuajse gjithë vendin, duke sjellë situata emergjente nga veriu në jug. Në Shkodër, Lezhë, Kurbin dhe Durrës, dhjetëra lagje janë përmbytur, ndërsa në Fier, Lushnje dhe Vlorë prurjet e lumenjve kanë përmbytur sera, sipërfaqe bujqësore dhe dhjetëra banesa.
Në zonat malore, bora e trashë ka izoluar fshatra të tëra, ndërsa mungesa e energjisë është përsëritur në disa qarqe.
Gazeta RD