Deputeti i PD-së Belind Këlliçi u paraqit sot në SPAK dhe pas daljes së tij lëshoi një paralajmërim të fortë për opinionin publik, duke deklaruar se skena politike shqiptare do të përballet me zhvillime shumë interesante në ditët dhe javët në vijim.
“Jam paraqitur sot me kërkesë të prokurorit Arben Kraja, në Prokurorinë e Posaçme për një çështje që për të cilën disponoj informacion. Jam i bindur që ky fillim vit, do të jetë shumë interesant edhe me zhvillime shumë interesante, për skenën politike shqiptare dhe do ftoja të gjithë gazetarët, opinionin publik, mediat, qytetarët shqiptarë që të rrinë me sy të hapur edhe veshët hapur për të pritur goxha të reja “
Duke folur para mediave, ai konfirmoi se ishte thirrur për të dhënë informacion që dispononte në lidhje me një çështje specifike. Megjithatë, ai zgjodhi të mos zbulonte detaje, duke u shprehur se preferonte të mos e bënte publike për shkak të kërkesës së organit të akuzës. Deputeti theksoi se çështja në fjalë lidhet me politikën.
Gazetari: Ka lidhje me politikën kjo çështje?
Belind Këlliçi: Po sigurisht për çdo gjë që një deputet vjen këtu, sigurisht që lidhet me politikën. Po jam i bindur që, jam i bindur që në ditët edhe javët në vijim do ketë shumë zhvillime shumë interesante për politikën.
Gazetari: Pra folët për politikanë në SPAK sot?
Belind Këlliçi: Po sigurisht. Jam i bindur që do ketë zhvillime shumë interesante. Më lejoni që të mbetem i rezervuar në, deklaratën time dhe krejt korrekt edhe në raport me deklaratat e mia brenda, Prokurorisë së Posaçme, në raport me këtë çështje dhe me çdo çështje tjetër sa herë jam të rritur.
I pyetur nëse çështja për të cilën u mor në pyetje kishte lidhje me zgjedhjet, ai e mohoi kategorikisht. Megjithatë, ai shfrytëzoi rastin për të kritikuar atë që e quajti “farsi elektoral i 11 Majit”, duke u shprehur se do të kishte dashur që SPAK të thërriste të gjithë politikanët dhe kandidatët që asistuan në atë proces, për të dëshmuar mbi rolin e grupeve kriminale në diktimin e rezultatit të zgjedhjeve.
“Jo, nuk ka lidhje me zgjedhjet. Do kisha dashur shumë në fakt që për farsin elektoral të 11 Majit të ishin thirrur të gjithë kandidatët për deputetë, të gjithë politikanët, të gjithë ata që kanë patur mundësinë të bëjnë fushatë dhe të asistojnë në masakrën elektorale të 11 Majit, për të dëshmuar me zë dhe me figurë, me prova konkrete se grupet kriminale në Shqipëri tashmë diktojnë zgjedhjet, në vendin tonë dhe ky është një lajm shumë i keq për çdo qytetar shqiptar”
Në fund, deputeti la të kuptohet se arsyeja e pranisë së tij në SPAK ishte vetëm maja e ajsbergut. Sipas tij, çështja për të cilën ai dëshmoi është “krejtësisht periferike në raport me zhvillimet që pritet të vijnë”. Ai përmbylli deklaratën e tij duke garantuar se së shpejti do të ketë zhvillime shumë interesante, duke shtuar akoma më shumë mister mbi të ardhmen e afërt politike në vend.
“Unë ju garantoj që çështja për të cilën kam qenë sot është krejtësisht periferike në raport me zhvillimet që pritet që të vijnë dhe ju garantoj që do ketë zhvillime shumë interesante. Këtë mund t’jua them”
Gazeta RD