Deputeti i PD, Eno Bozdo tha se, qindra hektarë tokë bujqësore në Kuçovë, veçanërisht në zonat e Kozares, Salc-Kozares dhe Ferrasit, janë përmbytur si pasojë e hapjes së portave shkarkuese të hidrocentralit të Banjës pa asnjë paralajmërim paraprak.
Në një deklaratë për mediat, Bozdo tha se, përmbytjet masive kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme për qindra familje dhe fermerë të zonës.
Deklarata
Qindra hektarë tokë janë përmbytur dje në Kuçovë, veçanërisht në Kozare, Salc-Kozare dhe Ferras. Përmbytja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe ka ardhur si pasojë e hapjes pa asnjë paralajmërim të portave shkarkuese të hidrocentralit të Banjës.
Banorët e Kuçovës dhe në veçanti të Kozares, Salc-Kozare dhe Ferrasit, janë gdhirë papritur dhe pa kujtuar nën mëshirë të fatit, nën përmbytjen totale të shkaktuara nga ujërat e Devollit dhe të atyre që hapën menjëherë portat shkarkuese.
Qindra, e ndoshta mijëra hektarë tokë janë përmbytur. Qindra familje dhe fermerë kanë pësuar dëme të pallogaritshme nga kjo katastrofë, jo aq natyrore, por e shkaktuar nga keqmenaxhimi. Dhe jo vetëm nga ana e subjektit që operon në lumin Devoll, por mbi të gjitha nga ana e pushtetit vendor, i cili duhet t’i kishte paraprirë kësaj situate dhe të kishte njoftuar me kohë banorët për përmbytjen e shkaktuar nga njeriu dhe jo nga kushtet e motit.
Këtë procedurë e kërkon ligji dhe ligji është shkelur tërësisht.
Menaxhimi i shkarkimeve është qartazi i përcaktuar në rregulloren e digave dhe sigurisht, nëse procedura do të ishte ndjekur me rigorozitet, shkarkimet pjesore do të kishin filluar prej ditësh, sepse ishte shumë i qartë fakti se parashikimi i motit tregonte për rreshje të shumta gjatë gjithë javës së kaluar.
Për më tepër, pushteti vendor, domethënë ekzaktësisht Bashkia Kuçovë, duhet të kishte lajmëruar banorët e saj pikërisht për hapjen e portave shkarkuese, në mënyrë që këta të fundit të merrnin masa për të minimizuar dëmet. Por as kjo nuk është bërë.
Kjo tregon një paaftësi dhe neglizhencë totale nga ana e Bashkisë Kuçovë dhe për këtë gjë përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.
Dëmet e shkaktuara janë shumë të mëdha. Për momentin asnjë ndihmë konkrete në terren, përveçse premtimeve për mbështetje nga përfaqësuesit e qeverisë.
Dy muaj më parë, e njëjta histori përmbytje ndodhi me Dimalin, Kuçovën dhe Beratin. Kërkesën tonë për dëmshpërblim të plotë të familjeve dhe fermerëve, qeveria e hodhi poshtë me arrogancë.
Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një përmbytje plotësisht të menaxhueshme. Në qoftë se do të funksiononin hallkat e qeverisjes qendrore dhe vendore. Kështu kjo është një përmbytje e shkaktuar nga njeriu dhe jo nga perëndia.
Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Prandaj po e përsëris këtë thirrje.
Për familjarët dhe fermerët e Kuçovës dhe Dimalit, si dhe për çdo familje shqiptare, fermer, qytetarë të prekur sadopak nga kjo përmbytje, kërkojmë edhe një herë, dëmshpërblim të plotë 100% për dëmin e shkaktuar.
Në rastin konkret, po përgatisim padi për shkaktarët e kësaj përmbytjeje, e cila ishte e parashikueshme dhe mund të minimizohej. Shkaktarët do të përballen me ligjin.
Faleminderit!
Gazeta RD