Padrinoja në ikje u jep “leksion” amerikanëve

Nga Agim NESHO

Rama ka kohë që po i mëson amerikanët për të ardhmen e tyre. I ra goja vite me radhë duke ju thënë që “mos e dhëntë Zoti të zgjidhet Trump, se do të jetë keq për SHBA-në”; mësoi Bashkimin Europian në Konferencën e Romës (2025) se “nuk do të lejojmë të huajt ti vendosin kushte Europës për konfliktin Rusi-Ukrainë”; deri duke ngushëlluar Presidentin Makron që përpjekjet e tij për të zgjidhur konfliktin Armeni-Azerbaixhan po ja merrte Trumpi, që edhe emrin e Armenisë e ngatërroi me Shqipërinë.

Tani, që qiriun e pushtetit ja dogji Sinaloa dhe makutëria për të notuar në miliarda euro në pronën e tij personale, Shqipëri, Rama përpiqet të tregojë se klientelizmi i tij është i nevojshëm për amerikanët. Ai vrapoi ti jepte dorën Kushnerit në një sallon të madh në Paris, ku flitej për të ardhmen e Ukrainës, duke i kujtuar që investimet e tij me fondet arabe nuk do të ndalonin vetëm me Sazanin, por ai ishte i gatshëm të jepte aeroporte, trena elektrikë, e cdo gjë që kishte Shqipëria që ju pëlqente shumë sheikëve arabë. Ai po lodhet shumë të ftojë vizitorë amerikanë të bëjnë nga një shfaqje në Shqipëri, si për rëndësinë strategjike të vendit dhe samitin e ardhshëm të NATO-s, ashtu edhe për të recituar libra të zgjedhur prej tij nga kultura e këtij “populli harbut”, me zonja dhe zotërinj që duhet ta duan Shqipërinë jo vetëm për pasuritë e saj.

Tani që populli po ngrihet kundër një regjimi të diskretituar deri në palcë dhe jetëgjatësia e regjimit matet me javë dhe me ditë, Rama nuk mund të presë skenaret që vetë i ka përgatitur me kohë.

Firma amerikane CWP kishte kohë që po priste të investonte në Shqipëri, por nuk po arrinte të realizonte investimin se ca burokratë të regjimit që “hanë dardha dhe kumbulla pas shpinës së tij” po bënin ping-pong me autoritetet lokale për të fituar dicka të rëndësishme prej tyre. “Cështja Balluku” dhe tronditja e Ramës me abuzimet për tunelin e Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe, rrugës Kashar-Milot, etj., kërkonte një shfaqje me investitor amerikan si mëse e nevojshme. Për më tepër që Administrata Trump e ka me prioritet shtrirjen e investimeve amerikane kudo në botë dhe përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA duhet të ishin të pranishëm në përkrahje të këtij investimi.

Ngjarja e sotme ishte vetëm një shfaqje për popullin shqiptar për ti krijuar një iluzion se ai është i pranishëm dhe i nevojshëm për amerikanët. Për ta bërë më të besueshëm ai ju dha dhe një leksion amerikanëve që “korrupsioni është fjalë e modës sot”, dhe mos dëgjoni se cfarë flitet, si dhe i kërcënoi që ai mund të lidhet edhe me kinezët, që e shikonin Shqipërinë si një pikë mjalti.

Rama është sot në përsiatjet e fundit të regjimit të tij, që i ka ditët e numëruara. Nga gjithë propaganda e tij e deritanishme si “udhëheqës me vizion” apo “udhëheqës global”, i ka mbetur vetëm skenari që në Shqipëri nuk ka alternativë, duhet një gjeneratë e re, etj., etj., vetëm për të fituar kohë dhe dalë nga gropa ku e ka zhytur Sinaloa dhe abuzimet me pushtetin.

Opozita Shqiptare është më e fortë se kurrë, më e përgjegjshmë dhe e përgatitur për të mos lodhur DEA-n amerikane të cmontojë një autokrat si Maduro në brigjet e Adriatikut. Për më tepër, tani që kanë dalë faktet që investimet ruse në Portin e Durrësit janë demaskuar ashtu si investimet me McGonigal ishin të ndërthurura me interesa të fshehta të rusëve në rajon.

About Redaksia

Check Also

Për Shqipërinë

Nga Arlind BAJAJ Prej afro 10 vitesh, Shqipëria është duke u përballur me një krim …