Dy avokatët e ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima, në një konferencë për mediat paraqitën shqetësimet e tyre mbi situatën aktuale të klientit të tyre, duke e cilësuar atë si një rast të rëndë shkeljeje ligjore.
Gjatë fjalës së tij, avokati Kujtim Cakrani theksoi se, ndaj Metës janë bërë sulme të vazhdueshme dhe se ai nuk ka mundësi të komunikojë me qytetarët apo bashkëpunëtorët e tij.
Sipas tij, hetimet kanë përfunduar më 4 gusht 2025, por prej asaj date procesi gjyqësor ka mbetur në fazën e seancës paraprake.
“Nuk i jepet mundësia që të komunikojë me qytetarët, me bashkëpunëtorët. Por problemi është që hetimit kanë përfunduar në datën 4 gusht në 2025 dhe prej kësaj date zoti Meta është në seancë paraprake.
Ne sot jemi plot 4 muaj e gjysmë dhe nuk kemi nisur seancën paraprake që do të thotë është një shkelje e rëndë. Kjo ka rënduar pozitën e drejtësisë që është kthyer në drejtësi inkuizitore. Ne kemi bërë kërkesë për zëvendësimin e masës duke marrë parasysh të gjitha rrethanat në momentin ku ndodhet çështja.
Gjyqtarja Irena Gjoka është në hall të madh, sepse është e kapur dhe e shantazhuar. Por ne do vazhdojmë betejën ligjore. Presidenti Meta sot është në kushte paraburgimi që kanë kaluar çdo standard ligjor dhe human”, tha avokati Cakrani.
Gazeta RD