Fitim Haxhiraj, artisti që e mbajti skenën brenda vetes

Fatmir TERZIU

Ndërsa koha evolon, ikën përhiret, dhe mosha kalon në enigmën kalendarike, Vlora dhe skena e saj na bën të kuptojmë se ka njerëz që nuk u duhet skena për të qenë artistë. Ata bartin dritën brenda vetes, edhe kur koha përreth errësohet. I tillë ishte dhe mbeti Fitim Haxhiraj. Nuk u formua në akademi, por në atë teatër të parë, të brishtë, ku fëmijëria takon ëndrrën. Ishte ajo salla e vogël, zërat e fëmijëve, emocionet para publikut. Vallëzimi, recitimi, aktrimi, tre gjuhë të një shpirti që donte të fliste me botën. Dhe bota dukej se po i hapte një portë. Por një sistem që i frikësohet lirisë së brendshme, di ta godasë pikërisht aty ku dhimbja zgjat më shumë: te e ardhmja. Vendime të imponuara, klasifikime ideologjike, dosje, dyshime  dhe papritur arti u bë një privilegj i mohuar. Jo për mungesë talenti, por sepse talenti ishte “i rrezikshëm”.

Fitimi nuk bëri zhurmë. Nuk u përkul, as nuk u vetë-shpalli i mundur. Ai e gjeti mënyrën për të jetuar me artin, edhe kur e pengonin të dilte në dritë. Koreograf pa skenë zyrtare, aktor pa rol të shpallur, regjisor i heshtur i jetës së përditshme. Nuk ishte lloj dorëzimi; ishte një formë rezistence e butë: të mos e braktisësh veten. Njerëzit që e njihnin, e ndjenin këtë. Pranë tij kishte gjithmonë një lëvizje, një ide, një ritëm të brendshëm. Ai i ndiqte ngjarjet, librat, njerëzit e kulturës, si të mos donte t’i thoshte kohës: “Unë jam ende këtu. Arti nuk më është marrë.”

Koha kur arti binjak mbeti një zemër

 

Koha kur arti binjak mbeti një zemër

Dhe pas një burri të tillë qëndron shpesh një forcë po aq e madhe, pranë tij ishte „Nderi i Kombit“ (dhënë nga Rumania), „Mjeshtër i Madh“, shkrimtarja Vilhelme Vrana Haxhiraj, autore e të gjitha gjinive letrare, më pas shkrimtare e vlerësuar gjerë e mbarë, grua që e kuptoi dhimbjen e heshtur të artistit dhe e mbajti gjallë shpresën, dinjitetin dhe kujtesën e tij krijuese brenda një shpirti që filozofinë e dashurisë e kishte më shumë se të gjitha përsiatjet, se të gjitha njohuritë e vetë filozofisë.

Ndoshta kjo është tragjedia dhe lavdia e tij njëkohësisht, që mbeti artist, edhe kur nuk e lanë të jetonte si i tillë. Sot, kur shkruajmë për Fitim Haxhirajn, nuk flasim vetëm për një emër nga Vlora, por një bashkëshort artist që merr e jep frymë artisti me librat e dashurinë e shkrimtares së madhe Vivra në krah të tij. Flasim për një brez të tërë njerëzish krijues që sistemi i ngadalësoi, por nuk i zhduku dot. Të heshtur, por të qëndrueshëm, të mohuar, por të gjallë në kujtesën e atyre që i panë. Sepse arti, në fund, nuk vdes nga mungesa e skenës. Ai venitet vetëm kur ne harrojmë ata që e mbartën me dinjitet. Dhe Fitimi nuk u mefsht nga e gjitha sa i ndodhi, por ai ende rend e rend me librat e shkrimtares Kombëtare, dashurinë e shpirtit dhe zemrës së tij, zemrës së tij të madhe në shpirt, në Vlorë, në Atdhe, në Komb e më tej në Glob.

About Redaksia

Check Also

Romani “Oligarkët” i Vili Minarollit dhe fundi me turp i Ramës

Nga Bujar Leskaj Si lexues, paraqes modestisht këtë shkrim për romanin “Oligarkët” i Vili Minarollit, …