Nga rekordi në falimentim: Pse ‘Ari i Verdhë’ i Konispolit rrezikon të kalbet

Nga Bryan RUMANI
Anëtar i Departamentit Brain Gain

Sezoni 2025-2026 i kultivimit të mandarinës rrezikon të hyjë në histori si më i errëti për këtë industri që nga fillimet e saj. Zonat e Konispolit, Xarrës dhe Mursisë, të cilat prej dy dekadash janë shndërruar në epiqendrën e prodhimit shqiptar dhe janë të njohura për cilësinë e lartë të mandarinës, po përballen me një krizë të paprecedentë. Ajo që pritej të ishte një nga sezonet me prodhimin më të madh, fatkeqësisht është shndërruar në një skenar falimentimi masiv për fermerët. Analiza e situatës tregon se ky kolaps nuk vjen për shkak të mbiprodhimit apo fatkeqësive natyrore, por kryesisht për shkak të neglizhimit nga strukturat shtetërore, të cilat kanë dështuar të mbrojnë fermerin dhe të promovojnë markën vendase.

Matematika e humbjes: Kur puna nuk paguhet

Arsyeja kryesore që po gjunjëzon fermerët është çmimi, i cili ka zbritur nën koston e prodhimit. Fermerët e zonës raportojnë se kostoja për të prodhuar 1 kg mandarinë, duke llogaritur plehrat, ilaçet, nitratet, vaditjen, naftën dhe krahun e punës i cili është shtrenjtuar nga inflacioni varion midis 30 deri në 35 lekë. Megjithatë, realiteti i tregut është krejt tjetër. Nëse në fund të tetorit çmimi mesatar ishte 50 lekë për kilogram, gjatë pikut të sezonit në nëntor dhe dhjetor, ai ra në një mesatare prej vetëm 28 lekësh. Me këtë çmim shitjeje, fermerët e kanë të pamundur jo vetëm të krijojnë të ardhura për mbijetesë, por as të mbulojnë shpenzimet bazë të vitit.

Goditja e imazhit ‘Made in Albania’ dhe kaosi me pesticidet

Një tjetër element që ka dëmtuar rëndë shitjen është antireklama për produktet shqiptare lidhur me sigurinë ushqimore. Përgjatë vitit, shtetet e Bashkimit Europian, përmes sistemit të njoftimit RASFF, kanë klasifikuar disa dërgesa drejt Kroacisë, Sllovenisë dhe Italisë si të rrezikshme për shkak të përmbajtjes së lartë të substancës chlorfenapyr, e cila është e ndaluar në BE.

Përgjegjësia për këtë situatë, megjithatë, nuk mund t’u faturohet fermerëve. Ata i blejnë pesticidet në tregun vendas, nën rekomandimin e agronomëve dhe farmacive bujqësore të licencuara. Faji bie mbi dështimin e strukturave shtetërore, specifikisht Ministrisë së Bujqësisë për mos-tërheqjen nga tregu të produkteve të ndaluara, dhe sistemit doganor që ka dështuar të parandalojë kontrabandën e këtyre substancave, tregtimi i të cilave në Europë përbën vepër penale.

Mungesa e Infrastrukturës dhe gracka e monopolit

Kriza e thellë në Konispol nuk është një dukuri e izoluar, por simptomë e një modeli bujqësor të prapambetur, ku Shqipëria operon me standarde shumë më të ulëta se rajoni. Mungesa më e madhe është ajo e magazinave ftohëse. Pasi vilet, mandarina dehidratohet dhe humbet peshë brenda 24 orëve, gjë që e detyron fermerin ta shesë produktin menjëherë, duke pranuar çfarëdo çmimi që i ofron tregtari. Nëse do të kishte magazina ftohëse siç ndodh në Kenia apo Egjipt ku ato subvencionohen nga qeveria dhe funksionojnë me panele diellore – fermeri do të kishte fuqi të negocionte dhe të stabilizonte çmimin.

Kjo mungesë infrastrukture ka favorizuar krijimin e një monopoli ku eksporti kryhet nga pak firma. Diferenca në çmim është abuzive: produkti blihet nga fermeri me 28 lekë dhe arrin te konsumatori me 120 lekë, ndërkohë që Inspektorati Shtetëror I Mbikëqyrjes së Tregut nuk ka ndërhyrë. Për më tepër, shit-blerja shpesh bëhet në informalitet të plotë, pa dokumente ligjore, ku tregtarët vonojnë pagesat ose refuzojnë të paguajnë duke pretenduar pa prova se mandarina ka mbetje pesticidesh. Kjo skemë mashtrimi ndodh nën hundën e administratës tatimore, e cila ka për detyrë të luftojë informalitetin dhe qarkullimin e mallrave pa fatura.

Zgjidhja: Nga emergjenca te strategjia afatgjatë

Për të shpëtuar këtë sektor vital nga falimentimi, nevojitet një ndërhyrje e menjëhershme e ndarë në faza. Në afatshkurtër, Qeveria Shqiptare duhet të ndjekë shembullin e Greqisë dhe Spanjës, duke blerë 5,000 – 10,000 tonë mandarina të pashitura me kosto prodhimi (30 lekë/kg) për t’i shpërndarë në institucione publike si spitale, shkolla dhe shtëpi fëmijësh, ose për prodhim energjie. Gjithashtu, fermerët e regjistruar duhet të mbështeten me subvencione direkte rreth 500€ për dynym për të mbuluar kostot.

Në afatmesëm, Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti i Konkurrencës duhet ta bëjnë të detyrueshme me ligj “Kontratën për Furnizim”, ku çdo blerje të ketë sasi, çmim dhe afat pagese të paracaktuar, dhe shkelësit të ndiqen penalisht. Kjo duhet shoqëruar me një sistem dixhital ku fermerët deklarojnë spërkatjet dhe ku analizat ofrohen falas nga shteti (duke hequr barrën prej 200€ për analizë), për të krijuar një “Korridor të Gjelbër” drejt tregjeve europiane.

Në terma afatgjatë, industria ka nevojë për lehtësi fiskale, si heqja e TVSH-së dhe taksës së naftës për aktivitetet prodhuese, si dhe një diplomaci aktive për sigurimin e tregjeve të reja. E ardhmja e industrisë së mandarinës do të jetë e sigurt vetëm nëse Qeveria vendos të ndihmojë realisht fermerin dhe jo të lejojë abuzimin me fondet, siç ndodhi me rastin e IPARD.

Masat duhen marrë tani dhe jo kur të jet tepër vonë!

About Redaksia

Check Also

Reagimi i fortë i SHBA/ Organizata kriminale po destabilizojnë vendin, VanHorm: Prioritet i Trump në Shqipëri…

Shtetet e Bashkuara po ashpërsojnë mesazhet e tyre ndaj regjimit të Tiranës. Deklarata e fundit …