Nga Petrit VASILI
Puçi i rrëmbimit të mandateve të gjykatësve kushtetues është një atentat i vërtetë mafioz dhe korporatist ndaj shtetit ligjor.
Gjykata më e rëndësishme e vendit është shndërruar në një plaçkë tregu interesash mafioze, klienteliste dhe korporatiste.
Përfshirja shumë e rëndë e Presidentit të Republikës dhe mjaft komponentëve të tjerë si Kryetari i Gjykatës së Lartë, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, segmenteve të medias shqiptare dhe të huaj, segmente të Kuvendit të Shqipërisë etj., tregon të gjithë aktorët dhe dimensionet e puçit.
Secili me një rol të përcaktuar, këta puçistë, ku me veprime antikushtetuese dhe antiligjore flagrante dhe ku me mosveprime kanë mundësuar realizimin e puçit, e kanë shndërruar Gjykatën Kushtetuese në një rrëckë, që fshin këpucët e çelura të qeverisë të mbuluara nga korrupsioni dhe krimi.
Kurajoja e puçistëve ka buruar nga garancia e pandëshkueshmërisë së tyre.
Veprimet flagrante antikushtetuese dhe antiligjore kanë ndodhur megjithse Kushtetuta dhe ligji kanë qenë dhe janë shumë të qarta dhe shterruese.
Shndërrimi i mandateve të gjykatësve kushtetues në një plaçkë tregu, peng i interesave korruptive apo dosjeve të hapura, është një krim i vërtetë shtetëror i përmasave të mëdha.
Situata është përkeqësuar në mënyrë katastrofike dhe Gjykata Kushtetuese dhe mandatet e saj janë sot në gjendjen më të mjerueshme që nga dita që në Shqipëri shqiptohet fjala Gjykatë Kushtetuese.
SPAK duhet të zbarkojë në secilën zyrë të puçistëve, që nga presidenti Edi te më i fundit, dhe duhet të zbardhë deri në fund interesat, mekanizmin okult, që ka vepruar në funksion të puçit.
SPAK bën mirë që heton edhe arken e sardeleve dhe kombajnen e fshatit, por është fundi i botës që të lidhe duart e të mbyllësh sytë kur sheh ditën për diell se si rrëmbehet pushteti i drejtësisë me metoda mafioze.
SPAK që mbyll sytë përpara kësaj situate në Gjykatën Supreme të shtetit shqiptar kthehet automatikisht në bashkëfajtor në rast se nuk vepron.
Çdo denoncim ligjor në SPAK i këtij puçi të paprecedent në historinë 113-vjeçare të shtetit shqiptar është i mirëpritur dhe me shumë vlerë, por detyrimi ligjor dhe kushtetues si dhe nderi e morali kërkon që SPAK-u ta fillojë vetë kryesisht këtë hetim penal, për ta shndërruar në një proces shembull për goditjen e korrupsionit të nivelit më të lartë, që nuk kursen të asgjesojë shtetin ligjor.
Gazeta RD