Nga Ndriçim KULLA
Kam shprehur shpesh në opinionet e mia publike disa nga tiparet më të spikatura të liberalizmit klasik, të cilat neoliberalizmi majtist radikal ka arritur t’i shkatërrojë, ashtu siç analizohen sot nga disa prej filozofëve më të mirë evropianë. Qëllimi ishte të nënvizonim faktin se asgjësimi, ose shkatërrimi përfundimtar i qytetërimit evropian, ka nisur prej kohësh dhe po vazhdon në mënyrë të frikshme, nëse nuk i vihet fre ose nëse nuk i hapet një “luftë” e drejtë dhe e shëndetshme kësaj ideologjie, pikërisht nga ato vlera dhe tradita që themeluan Evropën dhe e mbajtën, deri jo shumë kohë më parë, si kampione të demokracisë.
Kjo luftë që po zhvillohet sot në Shtetet e Bashkuara kundër wokizmit dhe deep state ishte ekzistenciale edhe për ta. Pikërisht për këtë arsye Trump dhe doktrina MAGA u vlerësuan dhe u votuan masivisht. Mirëpo në Evropë, për shumë shkaqe objektive, kjo përballje është më e vështirë, pasi çdo shtet ka traditat dhe sovranitetin e vet, mbi të cilat rëndon burokracia e Bashkimit Evropian. Kjo është lufta e përhershme midis përfaqësuesve të popujve, të zgjedhur me votë, dhe institucioneve të BE-së, të emëruara dhe të pazgjedhura, ku deep state, wokizmi dhe sorosianët e kanë shumë më të lehtë të depërtojnë dhe të imponohen.
Megjithatë, lufta e partive liberal-konservatore kundër kësaj ideologjie, në çdo stad dhe institucion, deri në kryesinë e BE-së, është e vetmja betejë që i shërben realisht sot shëndoshjes së Evropës. Kjo është lufta e vërtetë për paqen e saj të brendshme dhe për zhvillimin e saj të ardhshëm ekonomik.
Po Shqipëria, vallë, qoftë brenda Evropës apo jashtë saj, si ndikohet nga një luftë e tillë?
Kryeministri ynë është shpallur tashmë botërisht si sorosian i thekur, duke kaluar të gjitha fazat që e emërtojnë si të tillë. Ai lindi politikisht si një projekt i Sorosit, u katapultua kryetar bashkie dhe kryetar partie prej tij dhe, me idenë e një drejtimi afatgjatë të fateve të Shqipërisë, udhëhoqi një shpurë të tërë rilindasish sorosianë në çdo fushë të shoqërisë. Më të njohurit sot politikisht janë Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali,Blendi Gonxhja …por në një gradë të dytë apo të tretë, një brez i tërë u shkollua, u ndihmua ekonomikisht dhe u mbështet me lidhje e konsulencë evropiane dhe amerikane nga rrjeti i fuqishëm sorosian nëpër botë.
Janë protagonist në këtë shpurë dhe mjaft nga analistët e sotëm mediatikë, përfaqësues tipikë të kësaj ideologjie. Më pas, ai vijoi me shtrirjen e tentakulave sorosiane edhe në opozitë, duke përfituar nga lidhjet dhe konjukturat e tij për të konsoliduar pushtetin.
Së fundmi, po synon të marrë rolin e liderit antikonservator dhe anti-Trump në Evropë, duke mos e përmendur asnjëherë luftën e brendshme që, si një erozion i vazhdueshëm, po ia rrënon trupin Evropës. Në vend të kësaj, në konferencat globaliste, flet për një Evropë të bashkuar kundër një Amerike që, sipas tij, “nuk di të bëjë shtet”. Por hipokrizia e tij prej puthadori e tradhton sa herë që flet.
A mos vallë shtetet ku wokizmi dhe ideologjia e tij mbizotërojnë janë shoqëri më të mira se të tjerat? Apo nuk janë, përkundrazi, shoqëri me më shumë probleme sociale, edukative dhe morale? Kjo është tashmë një e vërtetë empirike dhe faktike, që askush nuk mund ta fshehë, përveçse sorosianët e lidhur me fijet e padronit të tyre.
Pikërisht kjo mbrojtje, edhe në arenën ndërkombëtare, që ai po i bën wokizmit, e ka çuar Shqipërinë drejt një fundi historik, jo vetëm politik, por edhe të vlerave dhe traditave të saj themelore. Për këtë arsye shtesë, për shkak të shtrirjes dhe ndikimit të thellë që ai dhe shpura e fijeve sorosiane kanë tjerrë për vite me radhë në çdo cep shqiptar e shqipfolës, lufta jonë mbarëkombëtare kundër kësaj ideologjie është një imperativ kategorik për çdo forcë politike opozitare.
Kjo është një luftë që duhet të vazhdoj me desorosizimin e të gjitha figurave politike dhe mediatike të lidhura me Sorosin, si në opozitë ashtu edhe në mazhorancë: me diskreditimin faktik të aktivitetit të tyre dhe me goditjen e menjëhershme të çdo mbrojtësi të kësaj ideologjie në media dhe opinion, si shkatërrues të vlerave dhe traditave jo vetëm shqiptare, por edhe të qytetërimit evropian.
Pa një spastrim të tillë, asgjë e besueshme dhe e pranueshme nuk mund të ndërtohet më. Ky është hapi i parë dhe vendimtar, pa të cilin nuk mund të nisë asgjë e re dhe e drejtë për shoqërinë shqiptare. Koha do të na gjykojë të gjithëve, nëse nuk kontribuojmë në një luftë të tillë, sepse vetëm kështu do të jemi në anën e drejtë të historisë: duke luftuar për një shoqëri më të mirë, pa wokizëm, dhe duke mbrojtur amanetet shekullore të shqiptarëve, të cilët i rezistuan dhe nuk u asimiluan nga asnjë kulturë e huaj, pikërisht sepse vlerat dhe traditat e tyre ishin superiore dhe të qëndrueshme në kohë.
Gazeta RD