Gjatë një fjalimi publik në foltoren e PD para Kryeministrit, një protestues denoncoi investimet në infrastrukturë gjatë viteve të fundit të cilat nuk i kanë shërbyer zhvillimit ekonomik apo mirëqenies së qytetarëve, por janë një “skemë përfitimi për klientët e qeverisë” përmes tenderave korruptivë, koncesioneve dhe PPP-ve pa garë.
Fjala e protestuesit
U deshën reshjet e shiut dhe të borës si dhe temperaturat e ulëta të këtyre ditëve të fundit që të dilte e zbuluar para të gjithëve propaganda, dështimi dhe korrupsioni i kësaj qeverisje, veçanërisht në infrastrukturë dhe në transport.
Investimet në infrastrukturë dhe transport të kësaj qeverisje gjatë këtyre 13 viteve, nuk janë vlerësuar asnjëherë si mjet i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe mirëqenien e qytetarëve, por si një skemë përfitimi për klientët e qeverisë.
Nëpërmjet tenderave dhe prokurimeve korruptive, koncesioneve dhe PPP-ve pa garë dhe pa konkurencë. Kostoja e tyre jo vetëm nuk krahasohet me koston e rrugëve të ndërtuara nga qeverisja e Partisë Demokratike, duke i pesë-gjashtëfishuar ato krahasuar me periudhën e para vitit 2013, por i ka bërë disa herë më të shtrenjta dhe se rrugët që ndërtojnë sot vendet e Bashkimit Europian.
Vlen të kujtojmë këtu, autostrada Janinë-Kakavijë që po ndërton së fundmi fqinji ynë jugor Greqia, kushton vetëm 4.4 milionë euro.
Rasti më flagrant i mosplanifikimit të investimit në funksion të zgjidhjes së trafikut, është nyja e Bradasheshit dhe Unaza e Elbasanit, e cila shkakton çdo ditë e veçanërisht në fundjavë, trafik të rënduar deri në bllokime disaoorëshe për qytetarët që lëvizin në drejtim të juglindjes së vendit apo dhe për qytetarët e Elbasanit dhe të zonave përreth. Unaza e Tiranës, e ndarë në shumë lote, jo vetëm për të kënaqur orekset e klientëve të qeverisë, por për të eliminuar detyrimin ligjor për të ofertuar firma ë firma ndërkombëtare, iu shkakton qytetarëve orë të tëra në trafik në hyrje-daljet e saj të dështuara.
Rruga Qukës-Qafë Plloç, ndërtimi i së cilës ka zgjatur 13 vite të kësaj qeverisje, u inaugurua para disa muajsh me këngë dhe me valle dhe jo vetëm është kthyer në makth për udhëtarët, duke u bllokuar rregullisht pas çdo reshje dhe temperaturash të ulëta, por së fundmi është bllokuar plotësisht.
Qeveria, me pretekstin e përmirësimit të standardeve të projektit, dy-trefishoi koston e kësaj rruge dhe në fund na la një rrugë pa standarde dhe me shpejtësi shumë të ulët lëvizjeje, e cila nuk kaloi dot as provën e dimrit të parë.
Të njëjtat problematika ka paraqet dhe Rruga e Arbërit, PPP-ja e së cilës kushtoi nga 260 milionë euro të kontraktuara, përfundoi në 450 milionë euro dhe në reshjet e para të dëborës ajo bllokohet përsëri rregullisht dhe sistematikisht.
Nuk ka shpëtuar nga bllokimet dhe problemet as Rruga e Kombit, të cilën qeveria me pretekstin për të përmirësuar me standarde të larta mirëmbajtjen e saj, ia dha me koncesion kompanive private dhe rezultati është para syve të qytetarëve: bllokime dhe aksidente të shumta të automjeteve me ngricën e parë. Me sa duket me nisjen e shirave nuk ka shpëtuar rrjedhjes së ujërave as tuneli i Llogarasë, për korrupsionin e të cilit kemi folur gjerë e gjatë.
Të gjitha akset rrugore në zonat kodrinore dhe malore ose bllokohen nga rrëshqitjet, ose bllokohen nga akulli dhe bora, edhe pse paguhen miliona specifikisht për këto lloj mirëmbajtje. Të nderuar pjesëmarrës.
Këto ditë, të gjithë kemi parë dhe po përjetojmë katastrofën njerëzore për të cilën po kalon pjesa më e madhe e vendit tonë. Në Vlorë, për një copë tubi të furnizimit me ujë të dëmtuar, banorët u braktisën për pesë ditë me radhë pa elementin kryesor jetik, ujin.
Për një tub shkarkimi apo një pusetë të bllokuar, pothuaj në çdo zonë ku kalon një lumë apo një përrua dhe ku duhet të funksionojë një hidrovor, janë përmbytur sipërfaqe të tëra tokash bujqësore, banesa, biznese dhe rrugë, duke lënë të izoluar dhe në mëshirë të fatit banorët e këtyre zonave.
Maskarallëkun e kësaj qeverie që fal portin mijëvjeçar të Durrësit për të ndërtuar pallate, hotele, kazino dhe me paratë e shqiptarëve e zhvendos atë në Porto Romano, e panë të gjithë shqiptarët me përmbytjen e ish-Kënetës së Durrësit.
Gazeta RD