Emisioni “Fol” i Erion Skënderajt është ndalur sot në fshatin Orman Pojan të Maliqit. Dikur hambari i Shqipërisë, sot fusha e Maliqit është e mbuluar nga uji.
Përmbytjet e përsëritura kanë shkatërruar mbi 80% të tokave bujqësore, ndërsa institucionet shfajësohen me justifikime për “reshje të jashtëzakonshme”.
Fermerët shprehen se jetojnë mes dy ekstremeve: “Në verë thahemi për ujë, në dimër bëhemi kënetë. Argjinatura e Devollit është çarë, kanalet nuk pastrohen dhe përgjegjësia kalon nga bashkia te qeveria”.
Ndërkohë, prodhimi vendas po kalbet në magazina. “Patatja jonë po kalbet, ndërsa importi vjen me 35 lekë”, thonë fermerët, të cilët shesin me humbje ose nuk shesin fare.
“Gruri, elbi dhe misri janë mbytur, ndërsa patatja është mbjellë dy herë dhe është përmbytur sërish. “Hedhim miliona dhe nuk marrim dot hakun tonë”, shtojnë ata.
Fermerët ndihen të braktisur dhe të shtyrë drejt emigrimit. “Është e qëllimshme që ne të ikim prapë, nuk kërkojmë të rregullojnë motin, por të bëjnë punën, nuk kemi bukë të hamë, ta dijë ai “sallatori” i gjatë! – thonë ata
Në Maliq, politika shfaqet vetëm për vota. “Të na shohin hallin, votën ua japim”, shprehen banorët.
Sot fshati po shuhet dhe nëse kjo gjendje vazhdon, kënetë nuk do të jetë vetëm fusha, por edhe e ardhmja e bujqësisë shqiptare.
Gazeta RD