Kostana Ana Morava
Pra po na përsëritet ajo që prej më shumë se 20 vitesh na ka mësuar doktrina e hipokrizisë majtiste europiane. Po na tregohet si duhet të jetë rrugaçi i pranuar nga hipokrizia e kalbur majtiste.
Na mësohet jo vetëm kë të quajmë rrugaç, por edhe kë të admirojmë, kë të falim dhe kë të mbrojmë, pavarësisht se çfarë bën ai në të vërtetë.
Sipas kësaj doktrine, rrugaçi është ai që shfaq në publik sjellje të dhunshme, edhe pse, fjala bie, ai ka gjithë të drejtën e botës për t’u rebeluar sepse çdo trajtim njerëzor i është mohuar katërcipërisht nga ata ndaj të cilëve rebelohet.
Ky është rrugaçi i padëshiruar, rrugaçi i dënueshëm, ai që duhet të shtypet, të izolohet dhe të përdoret si shembull dënimi për të tjerët.
Ndërsa rrugaçi majtist i pranuar dhe përqafuar nga hipokrizia majtiste është ai që në publik është i larë, i krehur, i pispillosur dhe që ka kryer rregullisht ndërhyrje në surratin e tij të deformuar, por ama nuk lë poshtërsi pa bërë atëherë kur nuk e sheh askush.
Ky rrugaç nuk quhet kurrë rrugaç.
Ky quhet figurë publike, intelektual, drejtues, model suksesi, njeri i arritur.
Ky lloj rrugaçi, majtist, mishëron hipokrizinë në formën e saj më të sofistikuar. Ai di të buzëqeshë, di të sillet “mirë”, di të duket i qytetëruar nga jashtë.
Ai është trajnuar nga qarqe intelektu-hale se si të menaxhojë agresionin e tij të brendshëm pa u ekspozuar, pa u komprometuar, pa lënë gjurmë në publik dhe ta përdorë atë vetëm kur nuk shihet.
Dhuna e tij nuk është shpërthyese por e planifikuar. Nuk është e zhurmshme por e heshtur, ajo nuk lë shenja të dukshme por lë pas jetë të shkatërruara.
Këto qarqe ku ai aderon e kanë mësuar të vjedhë, të vrasë, të shkatërrojë jetë, të jetojë i degjeneruar, duke zbatuar ligjin, duke respektuar procedurën dhe duke mos rënë kurrë në sy.
Si në ndonjë film, krimi më i suksesshëm për ta është ai që nuk quhet kurrë krim.
Rrugaçi majtist është model.
Flet me zë të ulët, mendohet gjatë dhe nuk reagon menjëherë vetëm sepse qarqet ku ai aderon ia kanë mbushur portofolin me para të vjedhura që në një rend të drejtë do t’i shkonin edhe fëmijës së atij që rebelohet në rrugë.
Ai ka luksin e durimit sepse nuk ka frikë nga e nesërmja.
Ai nuk nxiton sepse e ka siguruar jetën mbi shpatullat e atyre që derdhen në rrugë.
Prandaj dhuna e drejtpërdrejtë në rrugë nuk pranohet si legjitime nga hipokrizia majtiste, e cila vishet firmato me paratë e vjedhura nga buxheti i shtetit apo nga trafiku i drogës, njerëzve, armëve, inteligjencës dhe gjithçkaje që mund të shitet, blihet dhe këmbehet.
Dhuna që shihet publikisht i tremb sepse ua prish skenografinë e fasadës që fsheh ngrehinën e tyre të brendshme.
Dhuna që nuk shihet është ajo që ata e ushtrojnë çdo ditë.
Prandaj mos u çudisni me reagimin e kryeministrit.
Është reagimi i atij që jeton në luks të përhershëm, në shfrenim mirëqenieje dhe që nuk e koncepton dot çfarë do të thotë të mos sigurosh as minimumin e jetesës.
Është reagimi i atij që ka blerë me çdo lloj mjeti këmbimi vendet e tij nëpër kancelaritë perëndimore dhe jo vetëm, ku hahen darka borgjezësh, shoqëruar me muzikë klasike dhe moralizime bosh.
Moralizime për një botë që ata nuk e jetojnë dhe për vuajtje që nuk i prekin.
Mos u çudisni.
Kuptojeni ju, të varfërit.
Ju, të lënët në mëshirë të fatit.
Kuptojeni nga çfarë altari mizogjenie, arrogance dhe përçmimi vjen kryeministri dhe dishepujt e tij.
Nga një botë e mbyllur, ku vuajtja e tjetrit është thjesht statistikë dhe shkakton bezdi.
Bota sipas tyre është plot mundësi, para ka për të gjithë, punë ka plot.
Po sepse i kanë ndërtuar këto “potenciale” mbi kurrizin tuaj, mbi varfërinë tuaj, mbi djersën tuaj, mbi jetët tuaja të shtrydhura.
Kur ju punoni dhe ju bie bretku nëpër orare të tejzgjatura dhe paguheni si mos më keq, kryeministri dhe shoqërueset e tij, nëse nuk janë duke bërë ndonjë operacion plastik apo ndërhyrje estetike, janë duke biseduar për çështje të larta të filozofisë, shoqëruar me verë dhe haviar.
Filozofi për jetën që ata nuk e rrezikojnë kurrë, nuk e prekin kurrë me dorë por e jetojnë si në një lojë të realitetit virtual.
Si mund të pretendoni ju t’ua prishni këtyre borgjezëve këtë komoditet të fituar mbi shpatullat tuaja, mbi pronat tuaja, mbi ndërgjegjet tuaja.
Si mundeni ju?
Ju duhet të qëndroni gojë mbyllur, të ulni kokën, të mos kërkoni asnjë fije jete më shumë.
T’i përuleni në gjunjë, mëngjes, drekë, darkë, liderit suprem dhe të jeni mirënjohës vetëm pse ai ekziston.
Këtë duhet ta bëni edhe pse s’keni asgjë në vijë.
Edhe pse nuk e dini nëse do ushqeheni nesër.
Edhe pse nuk ndërtoni dot asnjë plan për jetën.
Edhe pse fëmijët tuaj me shumë gjasë do marrin rrugët për t’u bërë hamallë të botës.
Edhe pse nuk gjeni më asnjë kuptim për të jetuar në këtë tokë.
Ju duhet t’i përuleni kësaj qenieje që vuan nga çrregullime narcisiste të personalitetit dhe që nuk do t’i shkulet kurrë pushtetit sepse di të bëjë sërish atë që i kërkohet, si mjeshtër numër një i hipokrizisë.
Në këtë sistem nuk të kërkohet të jesh i drejtë, as i ndershëm, as i mirë.
Të kërkohet vetëm të mos shohësh, të mos ndjesh, të mos reagosh, të quash virtyt heshtjen tënde, të quash pjekuri frikën tënde dhe qytetari faktin që nuk të vjen më keq për askënd.
Kur ti bësh të gjitha këto pa u ndjerë fajtor, dhe kur të lexosh këtë tekst dhe të mendosh se nuk po flas për ty, atëherë je pikërisht ai që ky sistem kërkon.
Gazeta RD