Diaspora dhe tre dimensionet e Brain Gain

Andi Mustafaj
Anëtar i Departamentit Brain Gain

Zgjedhjet parlamentare të fundit nxorën në pah hendekun e thellë mes politikës shqiptare dhe
diasporës. Një hendek që nuk është thjesht administrativ apo elektoral, por politik, organizativ
dhe mbi të gjitha strategjik. Regjimi aktual e ka parë diasporën jo si partner, por si instrument.
Me rrjete diplomatike, konsullore dhe informale, shpesh të errëta, ai e ka përdorur atë
kryesisht për manipulim elektoral dhe propagandë, kurrë si burim ideje, force apo ndërtimi.

Ndërkohë, Partia Demokratike, në disa aspekte ka mbetur e bllokuar në forma të vjetra
organizimi: “degë jashtë shtetit”, struktura të ngurta dhe ceremoniale, që nuk përfaqësojnë më
realitetin e një diaspore moderne, profesionale dhe të shpërndarë në botë, dhe që nuk arrijnë ta
përfshijnë atë në vendimmarrje. Kjo situatë kërkon ndërtimin e një hapësire të re politike dhe
organizative: zgjerimin dhe thellimin e modelit Brain Gain si bosht i marrëdhënies së Partisë
Demokratike me diasporën.

Nga degë në hapësira, një organizim i ri për diasporën

Departamenti Brain Gain nuk duhet parë si një strukturë periferike, por si një nga shtyllat
strategjike të organizimit të Partisë Demokratike. Një hapësirë fleksibël, fluide dhe inovuese,
e ndërtuar mbi parimin “një hapësirë për çdo demokrat”, ku shqiptarët e diasporës nuk ftohen
thjesht të identifikohen politikisht, por të kontribuojnë realisht.

Kjo hapësirë ka disa funksione themelore: ndërtimin e një regjistri të saktë dhe dinamik të
diasporës; përgatitjen serioze për ushtrimin e së drejtës së votës; dhe krijimin e mekanizmave
të përfaqësimit që i japin dinjitet dhe zë shqiptarëve jashtë vendit. Por mbi të gjitha, ajo duhet
të jetë ura e Brain Gain-it, e konceptuar jo si një proces i vetëm, por si një strategji me tre
dimensione të dallueshme dhe të ndërlidhura.

Tre dimensionet e Brain Gain

Brain Gain politik është hapi i parë dhe nis që në opozitë. Ai synon përfshirjen e atyre
individëve të diasporës që kanë përvojë, dije dhe vullnet për t’u angazhuar drejtpërdrejt në
jetën politike përmes Partisë Demokratike. Numri i tyre mund të mos jetë masiv, por pesha e
tyre është e jashtëzakonshme. Ata janë bartës të një kulture tjetër institucionale, të një
standardi tjetër profesional dhe të një etike tjetër publike. Përmes tyre, PD jo vetëm pasurohet
intelektualisht, por forcon besueshmërinë e saj si alternativë qeverisëse.

Brain Gain administrativ nis në momentin kur Partia Demokratike merr përgjegjësinë e
qeverisjes. Këtu kërkohet një kornizë ligjore dhe institucionale që krijon kushte reale për
kthimin e profesionistëve shqiptarë në administratë, universitete, sistem shëndetësor, drejtësi
dhe institucione publike. Ky është investimi më i rëndësishëm për modernizimin e shtetit: jo
thjesht kthimi i individëve, por injektimi i standardeve dhe praktikave të reja.

Brain Gain ekonomik është dimensioni më i gjerë dhe afatgjatë. Kur politika dhe administrata
reformohen, krijohet klima e besimit që sjell kthimin e sipërmarrësve, investitorëve dhe
drejtuesve të kompanive shqiptare të diasporës. Ky është momenti kur Shqipëria pushon së
qeni vetëm vend emigracioni dhe fillon të bëhet vend kthimi. Brain Gain ekonomik sjell
kapital, vende pune dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Përpara kthimit të trurit, ruajtja e lidhjes shpirtërore

Një e vërtetë duhet thënë pa ekuivok: përpara se të mendosh për kthimin e trurit, duhet të
mendosh për mos shkëputjen e shpirtit. Kthimi fizik i diasporës është i pamundur pa ruajtur
lidhjen shpirtërore dhe institucionale me vendin.

Një i ri që largohet sot për studime apo punë në Vjenë, Berlin apo Nju Jork, nëse kalon pesë
apo dhjetë vite pa asnjë kontakt institucional me Shqipërinë, pa rrjet bashkëpunimi, pa
ndjesinë se vendi e kujton dhe e fton, nuk do të kthehet kurrë.

Shteti e ka braktisur atë duke i lënë së lidhje të vetme me vendin atë që ka me familjarët që ka
lënë mbrapa. Në këto kushte, edhe nëse kthehet, shkëputja shpirtërore e tej zgjatur në kohë
sjell edhe një shkëputje me realitetin dhe zhvillimin e vendit duke bërë një kthim, cilado të
jetë forma e këtij kthimi, kundër produktiv.

Një kthim i sforcuar i një diaspore të larguar shpirtërisht krijon, ose më saktë ushqen, një
hendek të pranishëm në shoqërinë tonë që lidhet me konfliktin e kompetencave midis atyre që
vijnë nga jashtë dhe atyre që nuk janë larguar. Fatkeqësisht, shumë shpesh, këto dy kategori
janë vendosur përballë njëra tjetrës, sikur njëra është më e mirë se tjetra ndërkohë që ato në
fakt plotësojnë njëra tjetrën.

Prandaj, politika e diasporës nuk nis me thirrjen “kthehuni”, por me ndërtimin e lidhjeve.
Lidhje që frymëzojnë, që krijojnë bashkëpunim, që japin kuptim dhe krenari për të qenë pjesë
e një kombi që nuk të harron. Lidhje që të mësojnë se askush i vetëm nuk do e shpëtoj
Shqipërinë, duke dal kështu nga sindroma e mesisë, për të shkuar drejt sindromës së ndërtimit,
me një brez që e sheh të ardhmen nëpërmjet kryerjes së detyrës, sado e vogël që ajo të jetë.

Rrjeti i ambasadorëve dhe përgatitja për betejën e ardhshme

Në këtë kuadër, Rrjeti i Ambasadorëve merr një rol qendror. Jo si titull simbolik, por si
strukturë veprimi. Shqiptarë të diasporës, të organizuar sipas temave dhe vendeve, që
ndërtojnë lidhje me aktorë politikë, akademikë dhe institucionalë në vendet ku jetojnë; që
shkruajnë, flasin, shpjegojnë dhe denoncojnë realitetin shqiptar; që përgatisin terrenin
ndërkombëtar për betejat politike që PD do të zhvillojë nesër.

Kjo strukturë duhet të jetë fluide, e lidhur ngushtë me indikatorët e performancës që kemi
shtjelluar më parë, dhe e orientuar drejt rezultateve konkrete: ide, ndikim, organizim dhe
përgatitje për zgjedhjet e ardhshme.

Shqipëria nuk ka dy popuj. Ka një komb me dy hapësira. Vetëm kur këto dy hapësira të
takohen realisht, atëherë mund të themi se kemi fituar, më në fund, një takim vendimtar me Historinë.

About Redaksia

Check Also

Gysi i kthehet ne ferr/ Urdhëroi arrestimin e qytetarit se i kujtoi verën 33 mijë euro

Një situatë e tensionuar është shënuar gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me banorët e …