Disiplina e mashtrimit nuk mundet me liri veprimi: Zyra e Antipropagandës, truri që mungon

Nga Pranvera SHEHAJ

Keqardhja është mjeti për shërimin e përkohshëm të ndërgjegjes, herë e sinqertë e herë vetëm një fill i hollë hipokrizie justifikuese, pa qenë në asnjërin rast ilaçi çudibërës që i ndryshon rrethanat dhe ngjarjet. Aq më shumë, atëherë kur keqardhja derdhet në ankesë, nis të ftillohet një ngërç absurdi pezmosës ku vetë autori që ka në duar zgjidhjen merr në ankesën e tij çoroditjen e cilitdo që e rrethon dhe e pret reagimin prej vetë atij. Ky derivim mendimesh vlen në jetë, e si për dreq, gjithë ç‘vlen në jetë vlen shumëfish në politikë, aty ku shpesh, keqardhja kolektive është frut i farës së paaftësisë.

Në regjimet e buta jodemokratike me ngjyrime autoritare, klienteliste dhe kriminale, duhet të mësohesh me zhvillimin e një cikli teatral ku ngjarja ngjizet herë nga vetë pushteti, – kujtuar kjo në raste të nismave, reformave apo monologëve publikë të stisur, -herë ngjizet aksidentalisht duke dalë nga kontrolli i pushtetit, si për shembull, një skandal qeveritar, një krim me përmasa shokuese e të tjera shfrenime që skuten në mëkatet e shumëllojta të pushteteve gjithë njolla. Cilado qoftë mënyra e ardhjes në jetë të ngjarjes, skenari mban gjithë peshën e përcjelljes së këtij teatri sipas regjisë së pushtetit. Ai është i shkruar me zotësi dhe autenticitet, i kuruar, i orientuar, e njeh mirë target-in e tij e po kaq të qartë e ka edhe qëllimin. Fuqinë e skenarit e mbretëron një detaj, centralizimi dhe kontrolli strikt për retorikën që do të qarkullojë. Propaganda, skenari dora vetë, është fillimi dhe fundi i përmbushjes së misionit, vazhdimësisë së pushtetit të ngritur mbi të pavërtetat. Fuqia e propagandës nuk është thjeshtësisht vetëm kaq. Më së shumti qëndron ajo në aftësinë e të krijuarit të një vorbulle masive që nuk përpin vetëm mendimin dhe pikëpamjen publike, por edhe vetë kundërshtarët e pushtetit. Si një masë malinje që përhapet, ajo u helmon edhe kundërshtarëve të saj retorikën, u gllabëron dhe u drejton mënyrën e reagimit. Një vorbull rrëmbyese që krejt forcën për ta kundërshtuar e tkurr në keqardhje, ankesë, denoncim, duke e vendosur palën përballë në një qëndrim sa të padrejtë aq edhe grotesk përmes një pyetjeje logjike: “Kujt i ankohen për detyrën e tyre”?

Zyra e Antipropagandës: Truri që mungon

Krijimi i zyrës së antipropagandës do të ishte hapi i parë i hartimit të një regjie për demontimin e skenarit të pushtetit, propagandës. Fizike apo vetëm pjesërisht e tillë -pra me shqiptarë brenda dhe/apo jashtë vendit, – zyra e antipropagandës synon qendërzimin e një regjie komunikimi dhe investigimi nëpërmjet ekspertëve.

Ajo duhet të përbëhet nga jo më shumë se rreth dhjetë burime njerëzore me një curriculum dhe dëshmi brilante në fushat si Shkenca Politike, Gazetari/Publicistikë, Shkenca Komunikimi, Statistikë/Data Analysis. Lënia e të tillë detyre profesionistëve, duke e theksuar në të konceptuarin si e tillë – detyrë, – as dëshirë, as kontribut ideologjik apo hapësirë e kohës së lirë, shmang një problem klasik në politikëbërje, arrogancën epistemike të amatorëve, problem i cili në betejat opozitare peshon më shumë. Vendndodhja e këtyre burimeve njerëzore duhet të jetë një kombinim brenda dhe jashtë Shqipërisë në mënyrë që gjithçka të lexohet sa me ftohtësinë (largësinë) aq edhe me përfshirjen (afërsinë) e duhur në terren për të qenë të suksesshëm.

Dorëzimi dhe centralizimi i fushatës së antipropagandës një grupimi të tillë profesionistësh, do të kërkonte edhe shmangien e ambicieve të tyre nga garat politike të brendshme – pra brenda partisë – ose të jashtme. Kjo mund të realizohet ose nëpërmjet punësimit të tyre të drejtpërdrejtë dhe kontraktual, ose nëpërmjet një marrëveshjeje paraprake që siguron se marrja në dorë e një fushate të tillë nuk është në shërbim të qëllimeve individuale, të cilat ndonëse legjitime, herë shkojnë paralelisht me qëllimin e madh, rrëzimin e propagandës dhe regjimit, herë e devijojnë dhe zbehin atë duke kompromentuar deri zhbërë përpjekjet e një strukture të tërë. Antipropaganda është shumëçka veçse një kauzë politike personale.

Zyra e antipropagandës duhet t‘i konceptojë detyrat e saj si një sistem në tre nivele:

Përfaqësuesit politikë (zëri publik);
Militantët dhe mbështetësit (zëri në terren dhe nga terreni);
Kundërsulmi direkt dhe Zëri i shifrave.

(1) Përfaqësuesit politikë (zëri publik). Detyrë primare e zyrës së antipropagandës është përcaktimi dhe përgatitja e vijës së parë të komunikimit, zërit publik të përfaqësuesve politikë, si një përgjigje e nevojshmërisë absolute për një regji qëndrore në çmontimin e vijës propagandistike të regjimit në media dhe platforma komunikimi publike. Kjo nënkupton së pari përzgjedhjen strikte dhe target-imin e përfaqësuesve politikë për trajtimin e një teme të caktuar në media duke patur si kriter bazë dhe të vetëm ekspertizën dhe mbulimin profesional të asaj fushe. Të tillë mund të mos jenë domosdoshmërisht deputetë, me përjashtim të rasteve kur edhe këta të fundit mbulojnë fushën e debatit duke patur për rrjedhojë në mos shkëlqimin retorik, së paku kompetencën për demontimin e saktë të retorikës së blinduar të kundërshtarit, i cili përballë duhet të gjejë gjithmonë një opozitar ekspert të fushës. Së dyti, kjo vijë e parë e përfaqësuesve politikë që shërben si zë mediatik duhet të marrë nga zyra e propagandës një linjë qëndrore editoriale me pikat strategjike të argumentimit për t‘u rrahur në sinkron të plotë në studiot e mbrëmjes ku trajtohet më së shumti aktualiteti. Së treti, po në këtë nivel, zyra e antipropagandës mund të përdorë më së shumti strategjinë “third-party validation”, shqipëruar si strategjia e koalicionit me aktorë të besueshëm, si një strategji efektive për të rritur besueshmërinë e kundër-narrativës përmes autoriteteve përtej profilizimit partiak, autoritete të jashtme, figura të respektuara publike që mbartin një lloj kurioziteti për shkak të mosshpalljes që qëllimeve politike dhe pavarësisë nga përditshmëria politike.

(2) Militantët dhe mbështetësit (zëri në terren dhe nga terreni). Niveli i dytë i detyrave të zyrës ka si synim të saj veprimtarinë antipropagandistike të shpërndarë në mënyrë kapilare në terren nëpërmjet një bashkëpunëtori të ngushtë: militantit. Lidhja e ngushtë mes militantit dhe zyrës së antipropagandës bëhet duke u deleguar atyre rolin e lajmëtarit të kundër-narrativës në çdo cep të terrenit. Së pari, zyra e antipropagandës formulon “fjalorin dekonstruktiv” për të treguar se si manipulohet gjuha. Në formë praktike dhe të thjeshtëzuar, gati në fletëpalosje të herëpashershme, ky fjalor merr vlerë kur i dërgohet një grupi militantësh me të cilët zyra e antipropagandës mban kontakt në të gjitha degët e rretheve. Marrë këtë fjalor, ata kanë detyrën ta shpërndajnë atë në çdo tryezë rastësore apo qytetarëve në rrugë duke u bërë ekzekutorët e strategjisë “Frame breaking”. Së dyti, po prej militantëve dhe degëve, zyra e antipropagandës siguron realizimin e projekteve të “demaskimit të sinkronizuar” në varësi të aktualitetit. Pasi ka krijuar një platformë masive opozitare online, shtuar kësaj domosdoshmërinë e një zëri mediatik pranë saj, zyra e antipropagandës kërkon nga militantët një denoncim faktik nga terreni, të cilëve në mënyrë të koordinuar dhe në kulmin e audiencës publike në trajtimin e temës së ditës, për shembull turizmit, u jepet zë, duke bërë që kundërnarrativa të çmontojë në kohë reale me zëra dhe profile qytetarësh nga terreni. Kjo metodë i shërben krijimit të një ritmi informacioni nga terreni që i mbivendoset informacionit të antipropagandës në orë të caktuar të ditës si lajmet e mbrëmjes apo talk show-t politikë të Prime time. Me rëndësi është sinkronizimi absolut me regjimin përmes logjikës: antipropaganda ka detyrë ditore të ndriçojë atë që errëson sot propaganda.

(3) Kundërsulmi direkt dhe Zëri i shifrave. Nëse suksesi i realizimit të detyrave në dy nivelet e para varet nga autoriteti i zyrës së antipropagandës brenda partisë politike e për rrjedhojë bindshmëria e aktorëve të tjerë ndaj saj, kundërsulmi direkt dhe zëri i shifrave ka për protagonist kryesor dhe të vetëm ekipin prej dhjetë vetësh të zyrës së antipropagandës, ndërsa antagonisti mbetet po i njëjti, regjimi. Kundërsulmi direkt i shpejtë është një strategji brilante e zëdhënësve po kaq brilantë të fushatave elektorale. Shpesh misteriozë në profil, të përllogaritur dhe profesionalë, shembuj si Steven Cheung, zëdhënës i fushatës elektorale të zgjedhjeve presidenciale në SHBA 2024 i presidentit Donald Trump, sot drejtor i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, janë prova për efektshmërinë e kundërsulmit. Zyra e antipropagandës në këtë nivel të tretë ka detyrën e kundërsulmit agresiv si të ishte kulmi i një fushate elektorale. Taktika e Cheung konsistonte në shpejtësinë në kohë reale dhe dyfish më të fortë të çdo deklarate të kundërshtarit që tentonte të bënte lajmin e ditës, duke bërë që kundërpërgjigjia të bëhej lajm i parë më shpejt se vetë përgjigjia. Pa pritur, pa humbur kohë, pa lënë lajmin të përhapet dhe depërtojë, kundërsulmi agresiv nënkupton kundërpërgjigje në kohë rekord dhe të përshkallëzuar për çdo deklaratë helmuese të kundërshtarit, përmes medias së shkruar, daljes urgjente për shtyp ose ‘slashing statements’ (deklarata të ashpra) sulmuese e jo konstatuese në rrjetet sociale. Pa dashur, kjo e fut vetë propagandën në spiralen e nevojës për t‘u kundërpërgjigjur sërish duke i përçartur agjendën. Në këtë plan mund të ndihmojë edhe paralajmërimi i hershëm, ku zyra e antipropagandës përgatit paraprakisht kundërmesazhet bazuar tek parashikimi për mesazhet që do të lëshojë regjimi, i cili është gjithmonë e më pak surprizues në mënyrën si shet vizitat ndërkombëtare, projektet infrastrukturore etj.

Ky nivel i tretë i detyrave të zyrës së antipropagandës duhet t‘i nënshtrohet po ashtu fuqisë që ka leximi i vazhdueshëm i terrenit përmes shifrave dhe zëshmërisë së tyre. Kryerja e sondazheve me frekuencë javore duhet të jetë etikë funksionimi për çdo parti politike, por në rastin e zyrës së antipropagandës, ato duhen kryer për t‘i dhënë zë dëshpërimit qytetar dhe mosdakordësisë së tyre për çështje të caktuara. Kjo do të kishte së pari si efekt kryesor bjerrjen e perceptimit të rremë se vula zgjedhore reflekton vullnetin e lirë të qytetarëve; dhe së dyti do të reflektonte në publik shumësinë e kundërshtisë ndaj vendimeve arbitrare të qeverisë bazuar në shifra statistikore. Të tilla sondazhe shpërndahen më pas në të paktat media me vetëdijen e etikës dhe pavarësisë si pushtet i katërt dhe përdoren vazhdimisht në daljet mediatike si argument pasqyrimi. Ekspertë të përfshirë në 10-shen e zyrës së antipropagandës do të kishin po ashtu përgjegjësinë e përdorimit të kontrasteve vizuale dhe statistikave duke i vendosur mesazhet propagandistike në kontekst negativ.

Si përfundim, propaganda është pështjellim i një mendësie të mbrapshtë mashtrimi, e cila ka ngurtësinë e një muri thuajse të palëkundshëm, ku secila tullë është një ushtar në shërbim të saj, i urdhëruar të rrijë në vendin dhe rolin e vet, çka nuk lë më nuanca dyshimi në bindjen se propaganda është frut i një disipline të hekurt mashtrimi ku rolet janë të ndara. Një disiplinë mashtrimi nuk mundet dot kurrë me liri veprimi, andaj përgjigjia duhet të jetë po e tillë, disiplinë, veçse e premtuar ndaj së vërtetës. Për çdo ushtar të mashtrimit, përballë duhet të qëndrojë një ushtar i së vërtetës, të dy nën komandën e gjeneralëve të kahëve të kundërt. Zyra e antipropagandës mund të jetë modestisht gjenerali deri më tani i munguar i njerëzve të lirë, por pa disiplinë. Vetëm kur ky fakt të ndryshojë, keqardhja nuk do të jetë më opsion ngushëllimi.

Pranvera Shehaj (Dr.) Politologe, Ekonomiste, Publiciste

About Redaksia

Check Also

“Shpëtoni sekserin Rama”…

Nga Iva V.GRILLO Pas skandaleve të pakrahasueshme dhe krisjes përfundimtare të fasadës “vezulluese” të narko-regjimit …