Nga Rezenbrik SERJANI
Prej më shumë se 10 vitesh ( Leli-Dredha i Ri-Mersini-7% ), qyteti i Vlorës po kalon një situatë të rëndë institucionale dhe menaxheriale si pasojë e dështimit të institucioneve përgjegjëse për administrimin e tij. Bashkia e Vlorës është zhytur në paaftësi, korrupsion, mungesë llogaridhënieje dhe transparence, duke u shndërruar çdo ditë e më shumë në një strukturë formale pa funksion real për qytetarët.
Administrata bashkiake i ngjan një “borderoje”të madhe punësimi, ku një pjesë e konsiderueshme e punonjësve, të lidhur ngushtë me fijet e nepotizmit, e “njohin” vendin e punës vetëm në fillim të muajit, kur paraqiten pranë bankomateve për të tërhequr pagën. Punësimi fiktiv është kthyer në një praktikë të zakonshme, që po “shushunjon” aparatin administrativ të Bashkisë Vlorë dhe po paralizon çdo mundësi funksionimi normal të institucionit, si parazitë të vërtetë.
Pasojat e kësaj dukurie janë dramatike: Vlora sot është një qytet pa menaxhim, pa pastrim, pa shërbime bazë, pa hapësira rekreative, pa ujë të pijshëm dhe pa ndriçim. Bashkia nuk ekziston në kapilaritetin e trupit të qytetit; ajo i shërben vetëm një zone të përqendruar, ndërsa pjesa tjetër trajtohet sikur të mos ekzistonte. Drejtorët nepotikë dhe kryemenaxherët e këtyre viteve ( Kryetarët e Bashkive: Leli- Dredha i Ri- Zonja e 7%) përbëjnë fatkeqësinë më të madhe të këtij qyteti.
Jo vetëm të paaftë dhe pa integritet profesional, por edhe të zhytur në korrupsion, këta drejtues kanë shkatërruar çdo nocion të përgjegjësisë publike. Mjafton të hapësh faqen e prokurimeve publike për të parë miliona euro të tenderuara për pajisje dhe elementë teknikë që, duhet të shërbenin për kryerjen e shërbimeve bazë. Tragjike është fakti se këto mjete, ndonëse të tenderuara me shifra marramendëse, nuk janë kurrë në shërbim të qytetarëve. Me to abuzohet, me to vidhet.
Këta drejtues nepotikë, të paaftë dhe të pasedër, e kanë kthyer Vlorën, mos të jetë më Vlorë. Jeta qytetare po venitet. Gjithçka është e paralizuar dhe paradoksale: aty ku flitet për resorte dhe investime kolosale, nuk ka saracineska për tubacionet e ujit; aty ku shfaqen arkitektë me “plane dhe metër nëpër duar”, mungojnë rrugët dhe infrastruktura; aty ku reklamohen punime të pambarimta 3 D, nuk ka ujë për të hedhur në tualete.
Kjo është Vlora sot, një qytet i lënë në harresë nga NEPOTIZMI, PAAFTËSIA DHE KORRUPSIONI!
Gazeta RD