Nga Blerim VAKAJ
Jetojmë në një kohë kur pak kush pyet për doktrinën, filozofinë apo mendësinë politiko-sociale si paraprijëse e qëndrimeve juridiko-institucionale dhe si lokomotivë e zhvillimeve ekonomike dhe social-kulturore të një shoqërie.
Por edhe pse jetojmë në këtë kohë që pak pyesin, e vërteta është se të gjithë veprojnë me vetëdije ose pa vetëdije instinkte sociale, në varësi të asaj që i rrethon më shumë. Por pa u zgjatur shumë sesi ndodh kjo, po sjell në vëmendje se Brain Gain në PD dhe në vendin tonë, i shekullit të XXI, erdhi si nevojë për të rivitalizuar demokracinë në këtë vend. Për të mbushur atë hapësirë të lënë bosh dhe të artikuluar shumë shpesh si humbja ose rrjedhja e trurit në Shqipëri.
Por çfarë po ndodh?
Janë shumë të rinj dhe të reja që akoma nuk besojnë tek kjo iniciativë e Brain Gain, të cilët i kanë ardhur në mbështetje Partisë Demokratike. Ndryshe nga Brain Gain (kthimi i trurit) i rilindasve të para një shekulli, që erdhën jo vetëm me fjalën dhe aktivitetin, por edhe e shkrinë të gjithë pasurinë e tyre për kauzat e këtij vendi, ata u kthyen sepse e ndjenë që atdheu, mëmëdheu, toka, gjaku, familja e tyre po rrezikonte të shuhej në histori, ose të robërohej pa u shuar, që do të ishte gati si një shuarje përgjithmonë.
Kohët, atëherë me tani, ndoshta nuk janë njësoj, dhe përtej propagandës edhe unë po e pranoj që nuk janë të njëjta. Atëherë nuk kishim as shtet as institucione, sot i kemi të dyja, por që punojnë shumë keq. Madje puna e keqe e tyre nuk vihet re nga të gjithë, por vetëm nga njerëzit mendjehapur. Një popull në paqe që i ikën një e katërta ose një e treta e popullsisë në dymbëdhjetë vjet është treguesi më i qartë, i punës së keqe. Prandaj sot çdo institucion shtetëror, ndërmarrje, apo organ, bën punë të keqe. Kemi rrugë, ura, tunele, rrjete energjitike dhe ujsjellës-kanalizime skandaloze pavarësisht investimeve konçensionare apo fondeve ndërkombëtare. Gjithcka fasadë, madje fasadë e keqe. Në çdo hallkë të piramidës gjen në shumicë joprofesionistë dhe flamurtarë të korrupsionit.
Ndërsa Brain Gain vjen si një dritë shprese.
Nisur nga kjo, shqiptarët duhet ta kuptojnë se nuk është Partia Demokratike që i thirri, i organizoi apo i ftoi në veçanti të rinjtë dhe të rejat shqiptare nga e gjithë bota, por ishin këta të rinj që menduan se mund të jepnin kontributin e tyre për vendin tonë duke u bërë pjesë aktive në PD.
Sigurisht e bënë duke besuar tek vlerat ideologjike dhe historike të Partisë Demokratike. E bënë duke besuar se PD është një nga trashëgimitë më të lavdishme të historisë së popullit tonë. Është e vërtetë që ndoshta nuk është partia më ideale dhe më e mira në historitë e botës, por nuk ka dyshim që në kontekstin historik dhe ideologjik mbetet partia me më shumë merita në historinë e këtij vendi. Pa Partinë Demokratike ndoshta sot nuk do të flisnim për demokraci apo për zhvillime dhe anëtarësime në organizata më të mëdha euro-atlantike. Pa Partinë Demokratike sot nuk do të flisnim për shumë punë të mira, por ndoshta do të ishim në një sistem simbioze mes autoritarizmit monopartiak dhe disa shoqatave që do të zbukuronin regjimin, si ai që donte të themelonte Ramiz Alia me të rinjtë e dhjetorit. Por ishin ata dhe ishte kjo PD që rezistoi dhe e refuzoi të bëhej palë në zullum dhe pushtet.
Brain Gain vjen pikërisht si rinia e dhjetorit. Pavarësisht numrave, vendosmëria është e njëjtë. Ata e duan Shqipërinë edhe më mirë sesa vendet nga ku vijnë. Në dialogjet dhe shkrimet e tyre sheh shumë qartë që janë mendimtarë dhe i shohin mirë edhe të metat e atyre vendeve nga ku vijnë.
Por çfarë po ndodh?
Brain Gain-it i kërkohet një bashkim forcash dhe mendjesh që luftojnë fort për ta vendosur doktrinën e të djathtës në zemrën e shqiptarëve. Dhe i kërkohet Brain Gain-it që të pranohet në gjirin e debateve mediatike dhe forumeve politike me tema si Zoti, feja, familja, gjaku, tradita, atdheu dhe historia kombëtare dhe ndërkombëtare. Brain Gain duhet të forcojë rradhët e veta me doktrinë, me besim, me ithtarë të vet brenda shoqërisë shqiptare, me parti dhe pa parti. Brain Gain nuk vjen vetëm si grupim rimëkëmbës dhe rithemelues vlerash demokratike, por edhe si shpresë që mund të arrijmë brenda këtij populli që po vuan për shpresë dhe besim. Për ide dhe doktrinë që bashkon njeriun me Zotin, njeriun me njeriun, dhe njeriun me natyrën.
Për ta bërë reale këtë shpresë dhe për ta kthyer Brain Gain-in në forcë konkrete ndryshimi, kërkohet mbi të gjitha mbledhje forcash dhe mendjesh. Kërkohen aleatë, më shumë takime dhe ndërtimi i një kornize të qartë brenda këtij ekipi, si edhe parashtrimi i një strategjie bashkëpunimi me sipërmarrjen vendase dhe me sipërmarrje nga diaspora shqiptare. Por asgjë nga këto nuk mund të funksionojë pa një besim të ndërsjellë dhe pa përgjegjësi personale. Duhet të jemi ne të parët që kontribuojmë pa kushte, pa e kthyer kokën mbrapa për të parë se çfarë bën njëri apo tjetri. Që të ndodhë kjo duhet më shumë afërsi dhe gjallëri. Duhet të mos i shterojmë apo zhvendosim fuqitë e njëri tjetrit në drejtime “padrejtim”. Aty së bashku. Aty për një qëllim. Nëse nuk e kthejmë njëri-tjetrin në anëtarë të së njëjtës familje, do të humbasim shumë energji. Do të na mungojë besimi dhe, kur mungon besimi, nuk kemi as se si t’ua transmetojmë atyre që i kanë sytë nga ne.Vetëm kështu mund të jemi të gjithë njësoj të vlefshëm dhe njësoj të përfshirë në rrugëtimin e kthimit të Partisë Demokratike në një forcë fituese dhe, akoma më shumë, në një forcë të aftë për të menaxhuar pasfitoren. Nëse Brain Gain i rilindjes së para një shekulli i bëri shqiptarët të besojnë te një Shqipëri e lirë, ne Brain Gain-it të PD-së na kërkohet t’i bëjmë shqiptarët të besojnë se PD-ja dhe vlerat e saj do na kthejnë në një Shqipëri të drejtë, të ndershme dhe me një popull sovran në krejt kuptimin e fjalës sovranitet.
Gazeta RD