Mijëra studentë e qytetarë dolën të martën mbrëma në rrugët e Beogradit për të protestuar kundër korrupsionit dhe veprimeve të qeverisë serbe, e cila akuzohet se po ushtron presion të drejtpërdrejtë mbi universitetet. Në Ditën Kombëtare të Arsimit, protestuesit u mblodhën para selisë së Universitetit të Beogradit, duke protestuar në paqe nën sloganin “Dija është fuqi”, në mbështetje të profesorëve dhe mësuesve që kanë humbur vendet e punës për shkak të pjesëmarrjes së tyre në protesta kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiç.
Rektori i Universitetit të Beogradit, Vladan Gjokiç, akuzoi qeverinë për arrogancë, hakmarrje dhe presion financiar e ligjor ndaj institucioneve akademike, duke theksuar se profesorët dhe studentët protestues janë sulmuar vazhdimisht edhe nga media pranë pushtetit, të cilat i kanë etiketuar si “terroristë”. Protestat, të udhëhequra kryesisht nga studentët, janë shndërruar në lëvizjen më të madhe dhe më të qëndrueshme anti-regjim në Serbi prej vitesh, veçanërisht pas ngjarjeve në Novi Sad, ku policia nxori me forcë studentët nga fakultetet.
Ndërsa të rinjtë në Serbi dalin në rrugë, përballen me dhunë, humbin vendet e punës dhe rrezikojnë të ardhmen për të mbrojtur arsimin dhe dinjitetin, në Shqipëri shumica e të rinjve duket se kanë zgjedhur heshtjen dhe gjumin. Dy realitete të ndryshme në Ballkan, nga njëra anë studentë që ngrenë zërin kundër padrejtësisë, nga ana tjetër një brez që po e sheh shtetin të rrëshqasë, pa reaguar.
Gazeta RD