Deputeti i PD, Luçiano Boçi, në Konferencën e Kryetarëve, është shprehur se mazhoranca e ka shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në një institucion formal, të zhveshur nga funksioni dhe vlera e tij kushtetuese.
Boçi tha se, ligjet po miratohen në errësirë, gjatë natës, pa debat dhe pa transparencë, në shkelje flagrante të çdo standardi parlamentar, ndërsa opozita përjashtohet qëllimisht nga procesi vendimmarrës.
Luçiano Boçi: E keni kthyer Kuvendin e Shqipërisë në një institucion pa vlerë. Ligjet po miratohen natën, pa debat dhe pa transparencë, në shkelje të hapur të çdo standardi parlamentar.
Sillni në seancë nga 20 projektligje njëherësh, pa asnjë vëmendje, pa diskutim dhe pa përfshirje reale të opozitës. Kjo mënyrë funksionimi e zhvesh Kuvendin nga roli i tij kushtetues.
Është e papranueshme dhe skandaloze që ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal, me pasoja të thella për shoqërinë, të kalohen në orën 3 të mëngjesit, pa konsultim, pa transparencë.
Shtoni numrin e seancave parlamentare. Ne si opozite ju themi qe jemi gati te punojme. Por ju nuk doni debat. Strategjia juaj është e qartë. Të kalojnë në tymnajë ligje të rëndësishme, ligje që prekin drejtpërdrejt jetën sociale, ekonomike dhe publike të qytetarëve.
Kjo nuk është rastësi, por një strategji e qëllimshme për të shmangur llogaridhënien, për të anashkaluar opozitën dhe për të minuar demokracinë parlamentare.
Gazeta RD