Nga Bardh SPAHIA
Regjimi Mbyll Dyert për Skandalin McGonigal
Bllokimi i dhunshëm që kjo maxhorancë i bën Komisionit Hetimor Parlamentar për aferën korruptive “McGonigal”, nuk është thjesht shkelje procedure. Është tmerri i një pushteti që lindi nga krimi elektoral dhe po mbahet në këmbë përmes krimit kushtetues.
Një maxhorancë që vjen në pushtet me vota të vjedhura, nuk ka asnjë detyrim moral ndaj qytetarit, por vetëm ndaj klaneve që e sollën në karrige.
Kush vjedh vullnetin e sovranit në kuti, nuk e ka problem të dhunojë Kushtetutën në Parlament. Ata refuzojnë hetimin sepse e dinë që pushteti i tyre nuk buron nga vota e lirë, por nga pazaret e errëta, si ato me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.
Kjo që po ndodh sot është vendosja e një precedenti fatal për demokracinë shqiptare. Duke i mohuar opozitës të drejtën kushtetuese për hetim, Edi Rama po kërkon të instalojë ‘jurisprudencën e sulltanatit’. Ku ligji është vullneti i tij dhe Parlamenti është thjesht oborri i tij.
Nëse lejojmë që ky precedent të kalojë në heshtje, ne pranojmë që nesër në Shqipëri të mos ketë më asnjë mekanizëm llogaridhënieje. Kjo është vdekja klinike e parlamentarizmit dhe zyrtarizimi i monizmit absolut.
Tërbimi me të cilin po e bllokojnë këtë komision tregon se “McGonigal” është “Thembra e Akilit” e këtij regjimi.
Ata e dinë mirë se çfarë do të zbulonte ai komision. Do të zbulonte se si zyra e Kryeministrit të Shqipërisë u shndërrua në një qendër trafiku influence për të goditur opozitën dhe pluralizmin. Bllokimi i hetimit është prova më e qartë e fajësisë. Ata nuk po mbrojnë procedurën, po mbrojnë lëkurën e tyre nga drejtësia.
Partia Demokratike e ka çuar këtë betejë në Gjykatën Kushtetuese, jo si një akt formal, por si një ultimatum për shtetin e së drejtës.
Megjithatë, reagimi më i madh duhet të jetë qytetar. Një qeveri që vjedh votën për të marrë pushtetin dhe shkel ligjin për të fshehur korrupsionin, është një rrezik kombëtar. Ne nuk do të lejojmë që heshtja e tyre të bëhet ligj. Ne do t’i shkojmë deri në fund, sepse demokracia nuk është pronë e atyre që e vodhën, por e atyre që e mbrojnë.
Gazeta RD