Arkitekti Maks Kola iu bashkua foltores së Partisë Demokratike sot përpara kryeministrisë për ti bërë thirrje shqiptarëve për zgjim për ndërgjegjësim për të ndërtuar një Shqipëri europiane ku merita vlerësohet, liria garantohet dhe shteti mbron qytetarët e tij.
Sot Shqipëria ndahet mes atyre që janë të lirë e janë të nënshtruar. Ne nuk jemi këtu për t’u hakmarrë, ne jemi këtu për t’u zgjuar, për të ndërgjegjësuar, për t’i thënë kujtdo që na dëgjon, mos rri pas perdes. Eja këtu, për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, se ky vend është shtëpia jote. Prandaj nga kjo foltore ju them, zgjohuni, mos kini frikë’ tha qytetari.
Fjala e arkitektit nga Foltorja
“Sa herë që mblidhemi këtu në këtë bulevard, nuk është thjesht një protestë. Është guri i radhës në themelet e një Shqipërie që duhet të rindërtojmë.
Më duhet ta them hapur, unë nuk jam sot këtu për Edi Ramën. Nuk jam sot këtu për
bashkëpunëtorët e tij të korruptuar, disa në burg, disa në arrati, e të tjerë që presin radhën. E di çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, e di Brukseli, Berlini, Londra dhe Uashingtoni.
Unë jam sot këtu për ata shqiptarë që ende nuk na bashkohen. Për ata shqiptarë që thonë që ky vend nuk ka më shpresë. Për ata shqiptarë që rrinë pas perdes e nuk zbresin poshtë. Sepse një vend nuk fundoset nga krimi, por vetëm nga heshtja.
Unë jam arkitekt dhe arkitekti e njeh mirë ndjenjën kur sheh një ndërtesë të braktisur, me mure të çara, dritare të thyera, dyer të shkallmuara, tarracë që pikon, e themeli që ka filluar të lëkundet. Kështu është dhe Shqipëria sot. Një ndërtesë e ndriçuar me LED dhe e lyer nga jashtë, por brenda ka lagështirë, ka myk, ka erë të keqe nga krimi dhe korrupsioni dhe me dhoma bosh, sepse djemtë dhe vajzat shqiptare janë larguar nga ky vend.
Dhe një arkitekt di dhe një të vërtetë, që çdo ndërtesë, sado e rrënuar të jetë, ringrihet kur themelet ka njerëz.
E kjo foltore është vendi ku po ndërtohet një themel me njerëz si ju, që nuk dorëzohen, që qëndrojnë, që sakrifikojnë dhe me tulla të ndërtuara nga një njeri që kurrë nuk e la Shqipërinë në baltë, Sali Berisha.
Miq, më shumë se çdo qeveritar që ka vjedhur, më dhëmb ai shqiptar që ikën nga ky vend për një pagë më të lartë e për një jetë më të sigurtë. Që ikën nga padrejtësia, që ikën nga pasiguria, nga korrupsioni dhe pabarazia, që ikën nga mungesa e rendit dhe shëndetësia, e që ikën duke thënë që s’kam më shpresë. Jo miq, shpresa nuk është dhuratë. Ajo ndërtohet me duar, me zë, me guxim dhe me dinjitet. A e dini ju çfarë më ka trishtuar më shumë vitin që lamë pas?
Shqiptarët kanë humbur madhështinë e institucionit të vdekjes. Ka dhimbje që nuk i gjejmë në statistika, por në zemrat tona. E një nënë shqiptare në Amerikë, shumë e bukur në rininë e saj, shuhet papritur.
E besnikë ndaj amanetit të saj për t’u prehur pranë prindërve të vet në veri të Shqipërisë, fëmijët e saj mundën ta përcillnin trupin e pajetë të nënës së tyre vetëm deri në aeroport.
Sepse nuk kishin qenë kurrë në Shqipëri. E po këtu, jo gjithë pjestarët e familjes së saj mundën ta prisnin.
Sepse një pjesë e tyre jetonin në anë të tjera të botës. E kjo është dhimbja më e madhe e kombit tonë, kur shqiptarët nuk mund të jenë më t’u japin lamtumirën e fundit nënave, baballarëve, vëllezërve dhe motrave të tyre.
Të nderuar bashkëqytetarë, Shqipëria nuk ndahet sot në jug e në veri, ku veriu fillon tek trau i Rinas, si në një kohë si ajo duke më kujtuar Qipron turke e nga trau këtej Qipron greke.
Nuk ndahet në të krishterë e myslimanë, nuk ndahet në socialistë e demokratë, nuk ndahet në të majtë e të djathtë. Ajo sot ndahet mes atyre që janë të lirë e janë të nënshtruar. Ne nuk jemi këtu për t’u hakmarrë, ne jemi këtu për t’u zgjuar, për të ndërgjegjësuar, për t’i thënë kujtdo që na dëgjon, mos rri pas perdes. Eja këtu, për veten tënde, për fëmijët e tu, për vendin tënd, se ky vend është shtëpia jote. Prandaj nga kjo foltore ju them, zgjohuni, mos kini frikë.
Ejani, mos ndaloni, për një Shqipëri normale, për një Shqipëri evropiane. Ku qytetari respektohet, ku merita vlerësohet, ku liria garantohet, ku shteti të mbron e nuk të lufton. Sepse Shqipëria do ringrihet shumë më shpejt se sa mendojnë ata që nuk na duan.
Gazeta RD