Balliu nga Konferenca e Mynihut: Qeveria po e lë Shqipërinë të pambrojtur në hapësirën digjitale

Nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare, Klevis Balliu, mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku u diskutua mbi rëndësinë jetike të sigurisë kibernetike në nivel global dhe sfidat me të cilat përballen shtetet në epokën digjitale.

Gjatë këtij forumi ndërkombëtar, Balliu ngriti shqetësimin për gjendjen alarmante të sigurisë kibernetike në Shqipëri, duke theksuar se ky sektor strategjik po neglizhohet dhe po keqmenaxhohet nga qeveria.

Ai deklaroi se siguria digjitale sot është një shtyllë themelore e sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të shteteve, ndërsa mungesa e profesionalizmit, konfliktet e interesit dhe investimet minimale po e bëjnë vendin të cenueshëm ndaj rreziqeve serioze.

Sipas Balliut, buxheti për sigurinë kibernetike në Shqipëri mbetet qesharak, në një kohë kur vendet e zhvilluara po investojnë miliarda për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe të të dhënave shtetërore.

Gjatë konferencës, ai pati mundësinë të ndajë shqetësimet e tij mbi rrezikun që i kanoset sigurisë kombëtare të vendit dhe t’u kërkojë partnerëve ndërkombëtarë mbështetje konkrete për forcimin e kapaciteteve institucionale në këtë fushë jetike.

Balliu theksoi se siguria kibernetike nuk është luks, por domosdoshmëri për sovranitetin, funksionimin e institucioneve dhe mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë.

Në përfundim, ai nënvizoi se mbrojtja e hapësirës digjitale duhet të jetë prioritet kombëtar dhe se çdo neglizhencë në këtë drejtim përbën rrezik serioz për të ardhmen e vendit.

About Redaksia

Check Also

Gazetarja: Balluku drejt “arrestit shtëpiak”! SPAK ka marrë udhëzime nga SHBA dhe BE

Gazetarja Anduena Llabani, ka deklaruar këtë të premte se hetimet ndaj Belinda Ballukut mund të …