Nga Julian ALI
Brain Gain
Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy shtete fqinje ballkanike me histori dhe kultura politike të ndryshme, por të dy kanë një sistem zgjedhor që ka evoluar në mënyra të ndryshme dhe ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi nivelin e demokracisë dhe përfaqësimin politik në secilin vend. Por si fillim, mendoj se duhet ta kemi të qartë se nuk ka një sistem zgjedhor ideal, por është shumë i rëndësishëm vullneti i partive politike që sistemi që zgjedhin të garantojë meritokraci, drejtësi, përfaqësim dhe gjithëpërfshirje, sidomos vullneti i mazhorancës si partia më e madhe në parlament.
Ndryshe nga Shqipëria post-komuniste, e cila ka një historik zgjedhor që nis që prej viteve ’90 dhe ka kaluar përmes ndryshimeve të shumta të sistemeve zgjedhore, pavarësia moderne e Malit të Zi fillon në vitin 2006. Megjithatë, edhe pse e re, kjo periudhë e shkurtër nuk e ka penguar Malin e Zi të tregojë në disa momente një nivel më të lartë demokracie dhe organizimi zgjedhor.
Gjatë këtyre dekadave, Shqipëria ka ndryshuar disa herë sistemin zgjedhor, duke kaluar nga sistemi mazhoritar te sistemi i përzier dhe më pas te sistemi proporcional. Që nga viti 2005, sistemi proporcional ka pësuar transformime të ndryshme, duke filluar nga proporcional rajonal i mbyllur, më pas proporcional me thyerje herësi në 2021 dhe, në fund, proporcional me lista të mbyllura dhe të hapura njëkohësisht. Këto ndryshime kanë pasur ndikim mbi stabilitetin politik dhe mbi mundësinë e partive të vogla për të marrë përfaqësim, ndërkohë që në Malin e Zi, që prej vitit 2006, sistemi elektoral ka mbetur proporcional me lista të mbyllura, me ndryshime të vogla ligjore dhe modifikime që nuk kanë prekur thelbin e tij. Edhe pse janë bërë propozime për lista të hapura ose për votim preferencial mes kandidatëve të një liste, struktura e sistemit ka mbetur e pandryshuar, duke ofruar një stabilitet që mungon në Shqipëri.
Cilat janë elementet që e bëjnë sistemin elektoral më demokratik në Malin e Zi, të cilat mund t’ia shtojmë Kodit Elektoral në Shqipëri?
Edhe pse të dyja vendet përdorin sistemin proporcional dhe formulën D’Hondt për ndarjen e mandateve, ka elemente të dukshme që e bëjnë sistemin e Malit të Zi më demokratik dhe që mund të shërbejnë si shembull për Shqipërinë. Ndryshe nga Shqipëria, e cila ka një sistem proporcional rajonal me 12 qarqe, i cili krijon një pabarazi midis votave dhe mandateve, duke e bërë më të vështirë për partitë e vogla të sigurojnë përfaqësim, Mali i Zi ka një sistem proporcional kombëtar, ku kandidatët garojnë në një zonë të vetme zgjedhore dhe ku votat kanë të njëjtën peshë në të gjithë territorin. Kjo i jep mundësi votës të ketë peshë të barabartë në gjithë vendin dhe rrit ndjeshëm shanset e partive të vogla për t’u përfaqësuar.
Në Shqipëri, ndarja rajonale ndryshon numrin e mandateve për çdo qark dhe numrin e votave të nevojshme për një mandat, duke e bërë më të vështirë që partitë e vogla të arrijnë kuotën e nevojshme për të fituar një deputet. Sipas përllogaritjeve të formulës D’Hondt, mandatet ndahen duke përzgjedhur vlerat më të larta të ndarjes derisa të plotësohen të gjitha ulëset, gjë që në praktikë penalizon përfaqësimin e partive të vogla dhe favorizon dy partitë më të mëdha. Kjo nuk ndodh në Mal të Zi, ku vota e çdo qytetari ka të njëjtën peshë në të gjithë territorin dhe partitë e vogla kanë mundësi reale për t’u përfaqësuar, sepse në një sistem kombëtar është më e lehtë të arrihet kuota minimale që kërkon një mandat përfaqësimi.
Ky mekanizëm ka një ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e demokracisë, sepse rrit domosdoshmërinë e krijimit të koalicioneve dhe qeverisjeve gjithëpërfshirëse për shkak të shumëpolaritetit, duke e bërë të pamundur që një parti e vetme të qeverisë pa marrë parasysh interesat e pjesës tjetër të spektrit politik. Kjo rrit dialogun dhe negociatat ndërpartiake dhe shpesh rezulton në qeveri më të përgjegjshme dhe më të lidhura me votuesit. Ndërsa në Shqipëri, sistemi ka favorizuar partitë e mëdha dhe ka krijuar mundësinë që një forcë politike të qeverisë për mandate të gjata, edhe në kushtet e papajtueshmërisë politike dhe skandaleve të shumta. Qeveria aktuale po ushtron mandatin e katërt dhe pretendon të marrë të pestin, ndërkohë që shumica e partive të vogla janë efektivisht jashtë funksionit të tyre elektoral dhe gara është bërë e pabarabartë për opozitën.
Minoritetet dhe Koalicionet
Një tjetër element që e bën sistemin e Malit të Zi më demokratik është përkujdesi për minoritetet dhe sigurimi i përfaqësimit të tyre në Kuvend përmes një pragu më të ulët elektoral (nga 3% standard në 0.7%). Kjo garanton që komunitete të ndryshme të kenë zë dhe ndikim në vendimmarrje. Ndërkohë, në Shqipëri, pragu elektoral nuk ndryshon për minoritetet, duke bërë që shpesh këto komunitete të mbeten të papërfaqësuara dhe të larguara nga procesi politik.
Gjithashtu, partitë e vogla që përfaqësojnë minoritetet e kanë më të lehtë të kapitalizojnë votat e tyre në mandate për shkak të sistemit proporcional kombëtar dhe të bëhen pjesë e koalicioneve si parti politike; ndryshe nga Shqipëria, ku koalicionet, për shkak të Kodit Elektoral, bëhen detyrimisht duke integruar kandidatët e të gjitha forcave të koalicionit brenda një liste të vetme zgjedhore. Ky është një tjetër dallim kyç mes dy vendeve dhe një shembull i qartë i mënyrës se si strukturat zgjedhore ndikojnë në nivelin e demokracisë dhe përfaqësimit.
Edhe pse situata politike në Mal të Zi nuk është pa sfida dhe ka kompleksitetet e veta për shkak të historisë politike dhe dualizmit gjeopolitik, për sa i përket zgjedhjeve dhe përfaqësimit të
votuesve, sistemi i tij është një hap përpara Shqipërisë. Duke pasur një sistem proporcional kombëtar, duke mundësuar përfaqësim të drejtë të partive të vogla dhe minoriteteve dhe duke krijuar nevojën për koalicione gjithëpërfshirëse, Mali i Zi ka arritur të krijojë një mekanizëm që rrit përgjegjësinë qeverisëse, transparencën dhe legjitimitetin e vendimmarrjes politike. Ky është një element që Shqipëria mund ta marrë si shembull për të rritur nivelin e demokracisë dhe përfaqësimit politik në vend.
Gazeta RD