Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, lideri opozitës, Sali Berisha ka qenë i ashpër me policinë, ndërsa ka paralajmëruar edhe Edi Ramën, që të mbajë mercenarët e tij dhe të mos qëllojnë mbi protestuesit, sepse protestuesit më pas do të qëllojnë mbi të.
Berisha tha; Ky do jetë kryehajduti i Shqipërisë. Ndaj dhe u thuaj atyre mercenarëve të mos qëllojnë mbi protestuesit se protestuesit do qëllojnë vetëm mbi ty.
Berisha: Sot, Edi Rama, pasi në Bruksel i nxorën kartonin e zi, jo të kuq, të zi, pasi në Mynih ia përplasën derën tek fytyra dhe nuk shkoi dot, vendosi përsëri të ndryshojë ligjin, të votojë ligjin në parlament, me të cilin ai beson se do mund të vjedhë shqiptarët, ai dhe ministrat e tij, dhe drejtësia nuk do mund të veprojë mbi ta.
Do veprojë populli mbi ta.
Nuk ka gjë në botë të pengojë popullin shqiptar, opozitën shqiptare pa mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën.
Edi Rama, yt atë, xhelati Kristaq Rama, daja yt, xhelati Spiro Koleka, 35 vite më parë bënin thirrje, tankeve studentëve.
Kurse ti pas 35 viteve, përdor mandatet e krimit si mburojë për të vjedhur shqiptarët.
Ata e bënin për pushtetin e tyre të krimit, ti e bën për pushtetin tënd të krimit.
Ata i përmbysëm, ty do të përmbysim.
Ata i zvarritëm, ty do të zvarrisim.
Po miq, ky mendon se mund të përvetësojë taksat tuaja, ky mendon se mund të përvetësojë pasuritë publike.
Ky mendon se do zbrazë Shqipërinë nga të rinjtë, se do të shkretojë Shqipërinë përfundimisht për parajsën e tij.
Edi Rama, i ke hesapet gabim, ke vjedhur shumë, por të garantoj ty dhe ministrat tu, se çdo pasuri që keni vënë, do t’u merret dhe për hundësh do u dalë. Në vite burgu do u kthehen.
Nuk ka më, ne jemi në shesh, ne jemi në rrugë, ne jemi në kryengritje paqësore, ne i dalim zot Shqipërisë, asnjë forcë në botë nuk na ndalon dot.
Duhet të përshëndes këtu Ilirin, të cilin snajper kriminel e gjuajti në ballë, dhe do e gjejmë atë, se po filmonte në protestë me telefonin e tij.
Përshëndes protestuesit e tjerë që morën plumba në kokë për protestën e tyre paqësore.
Unë i them Edi Ramës, kjo është kryengritje paqësore dhe kjo është zgjedhje, se në fakt ti meriton çdo variant.
Pa diskutim.
Ti nuk ke legjitimitet.
Ti je i paligjshëm, ti je një armik i egër dhe ne mund të jepnim ty çdo përgjigje.
Kryengritja paqësore është zgjidhja jonë, se atë duam ne, jo se na e imponon ti.
Por mos gabo se për çdo krim, për çdo cenim që do u bëhet protestuesve, personalisht do ketë vetëm një përgjegjës dhe ky do jetë Edvin Kristaq Rama.
Ky do jetë kryehajduti i Shqipërisë.
Ndaj dhe u thuaj atyre mercenarëve të mos qëllojnë mbi protestuesit se protestuesit do qëllojnë vetëm mbi ty.
Ti do jesh përgjegjësi numër një i çdo krimi të kryer.
Gazeta RD