Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij para qytetarëve të mbledhur para kryeministrisë se, ata, protestuesit me kryengritjen e tyre kanë arritur që ti thonë botës se, në Shqipëri në pushtet është një monstër.
Ai tha se, zëri i shqiptarëve protestues është dhënë nga agjencitë më të mëdha të botës.
Berisha: Miq, sa herë të mendojmë, vendimi ynë për misionin e ri të përmbysjes së diktaturës së re, është vendimi i jetës sonë.
Është vendimi më i drejtë që kemi marrë ndonjëherë.
Rezultatet janë shumë impresive.
Sonte, mund t’u jap lajmin se agjencitë më të mëdha të botës kanë dhënë zërin tuaj.
Ato kanë dhënë vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur veten nga vjedhjet.
Ato kanë dhënë vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur organizatën e tij kriminale nga ligji dhe drejtësia.
Por kanë dhënë zërin e opozitë shqiptare dhe unë mund t’u them se në Shqipëri, në Europë dhe në botë, njerëzit e lirë kanë folur më shumë se për këdo tjetër, për opozitarët shqiptarë.
Ata, të cilët thonë, po ja ku është Edi Rama, ja na shkon edhe në Kosovë si armik i egër i saj, po, u them, shkon, por absolutisht kurrë më ai nuk është ai që ishte.
Ai është njeriu që nuk do t’ia shohë kush bojën e surratit.
Ai është njeriu, të cilin ju e detyruat të dalë lakuriq si hajdut para shqiptarëve dhe botës.
Imagjinoni për një moment, sikur të mos ishte zëri juaj.
Imagjinoni për një moment, sikur të mos ishte kryengritja jonë paqësore se çfarë turpi do të ishte për ne shqiptarët, se çfarë turpi do të ishte për opozitën shqiptare, se çfarë do të ishte për çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar dhe Shqipërisë, Shqipëri.
Ja pra se çfarë arritëm ne me kryengritjen tonë.
Ne arritëm t’i themi botës se vërtet kemi një monstër në pushtet, që përdor pushtetin për të vjedhur nga mëngjesi gjer në darkë.
Që përdor pushtetin për drogën dhe krimin.
Por ne jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat, të vendosur me guximin tonë ta largojmë nga pushteti atë.
Rrjetet televizive kanë dhënë protestën tonë më gjatë se çdo lajm tjetër.
Jo se ajo ishte të themi më e rëndësishmja në axhendën e tyre, por ajo ishte dëshmi e simpatisë së madhe që ne krijuam me vendimin tonë për t’i dalë zot Shqipërisë, për t’i dalë zot shqiptarëve.
Gazeta RD