FRPD Vlorë: Plagët e hapura të Vlorës: Zhveshja institucionale!

Para rreth 6 muajve, FRPD Vlorë publikoi një videodenoncim për situatën e atëhershme të Vlorës, kohë kur kryeministri orvatej që dështimet e tij lidhur me turizmin dhe infrastrukturën t’ua faturonte bizneseve dhe qytetarëve vlonjatë. Në fakt, nuk e dinim se ajo video do të ishte prelud i asaj që do të ndodhte më vonë. Kryebashkiaku i kohës dha dorëheqjen e sot Vlora udhëhiqet nga një kryetare moralisht jolegjitime, e dalë nga një proces zgjedhor me vetëm 12 përqind pjesëmarrje. Mesazhi ishte i qartë: Vlora nuk mund të merret e mirëqenë.

Megjithatë, të dendur nga pushteti i pandërprerë, qeveria vazhdoi një sagë përçmimi ndaj një qyteti që nuk i ka asnjë borxh. Saga mban emrin: “Zhveshja institucionale” dhe tregon bastisjen e Vlorës nga institucionet kyçe.

Zhvendosja përfundimtare e Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës është një lojë diabolike e zhvilluar gradualisht. Në fillim Kadastra u kthye në një zyrë jofunksionale, më pas filloi digjitalizimi i saj për t’i shkëputur qytetarët nga shërbimet, e në fund u bë zhvendosja e panevojshme në një godinë tjetër shumë afër të parës. Pas degradimit të qëllimshëm, heqja e Kadastrës ndodh në qarkun me ngarkesën më të madhe të konflikteve pronësore për shkak të mbivendosjeve historike, rritjes së fortë të vlerës së tokës bregdetare dhe bumit të investimeve turistike me qindra leje ndërtimi të dhëna vitet e fundit. Kostot për qytetarët dhe bizneset e Vlorës rrezikojnë të rriten përmes shpenzimeve deri qindra euro për çdo procedurë fizike, ndërmjetësimeve dhe vonesave në hipotekim. Nga ana tjetër, edhe pse digjitalizimi shitet si hap përpara, skandali i sigurisë kibernetike i vitit 2022 deri te kriminalizimi i vetë AKSHI-t në 2025 ka shkatërruar besimin publik. Nuk është rastësi që kjo politikë e zhvendosjes nis të zbatohet në Vlorë, aty ku prona ka vlerë më shumë se në çdo qytet tjetër.

Qyteti që po kthehet në fantazmë nuk nis as mbaron me Kadastrën. Kujtesën e vrasin rastet kur vlonjatëve të Orikumit iu hoq Bashkia para disa vitesh, apo kur arsimtarëve iu zvogëlua institucioni lokal arsimor duke e zhvendosur drejtorinë qendrore të Arsimit në Fier. Bastisja institucionale nuk kurseu asnjë fushë, aq më pak drejtësinë. Si pasojë e reformës në drejtësi dhe hartës së re gjyqësore, Vlorës iu hoqën Gjykata e Apelit dhe Gjykata Administrative, duke e përqendruar sistemin në Tiranë e Lushnjë. Kjo do të thotë se çdo qytetar apo biznes i Vlorës që do të kërkojë drejtësi në shkallë të tjera të gjyqësorit, do t’i duhet të harxhojë kohë dhe para për ta ndjekur procesin në Tiranë. Pasojat nisin që nga zgjatja e proceseve gjyqësore për muaj e vite, shtimi i shpenzimeve procedurale, ngarkesa më e madhe për avokatët lokalë deri tek dekurajimi i qytetarëve për të ndjekur të drejtën e tyre deri në fund. Socialistët e bënë drejtësinë për vlonjatët më të shtrenjtë, më të largët dhe më të vështirë për t’u arritur.
Katër janë pikat nevralgjike të goditura nga kjo valë “zhveshjeje institucionale”: prona, arsimi, drejtësia dhe menaxhimi i qytetit. Kjo bastisje e Vlorës nga qeveria shqiptare mjafton për ta shkërrmoqur mitin e fabrikuar nga patronazhistët se “ai e do Vlorën”.

Morali është i thjeshtë: ky qytet është aq i bukur sa duhet zotëruar, dhe aq rebel sa duhet nënshtruar. Por, pyetja që ngrihet është: a i ka bërë mirë ky njeri llogaritë me vlonjatët? Dhjetori që lamë pas tregoi se kryeministri e ka të brishtë rehatinë kur reagon Vlora. Vlora i ka mësuar Shqipërisë në histori kryengritjen, jo kokëuljen, rebelimin, jo konformizmin, vetëqeverisjen, jo nënshtrimin. Në këtë frymë, nuk bëjmë asnjë hap pas në bashkimin me protestat e opozitës. Autokrati centralizon pushtetin, ne centralizojmë revoltën.
Më 20 Shkurt, ndër shqiptarë, Vlora flet!

Çajup Shehaj, Klajdi Qepi dhe Deti Sharra – FRPD Dega Vlorë

About Redaksia

Check Also

Berisha: Kryengritja jonë do të jetë vetëm paqësore! Vjedhja e qytetarëve rrëzon çdo pushtet

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ me mbështetësit në Krujë …