Ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, tha mbrëmjen e sotme se SPAK e Gjykata e Posaçme do zbatojnë Kushtetutën dhe sado të përpiqet kryeministri Rama të mbrojë zv.kryeministren Balluku, në fund do rezultojë iluzion.
Sipas tij, Rama kërkon thjesht të zvarisë çështjen dhe as përpjekja për të ndryshuar Nenin 242 të Kushtetutës nuk do e ndihmojë dot.
“Në këndvështrimin tim është iluzion, sado të përpiqet t’i krijojë koracën mbrojtëse, sado të përpiqet të ndryshojë kodin e procedurës penale, nuk arrin dot ta bëjë pasi është prioritet norma hierarkike që është Kushtetuta.” – tha Halimi në News24.
“Nuk do arrijë t’ia vështirësojë punën SPAK, pavarësisht se këtë po kërkon t’i ofrojë qetësi ministrave që nuk do pezullohen po u miratua ndryshimi i propozuar i nenit 242 i Kodit Penal, ky është iluzion. SPAK do të zbatojë Kushtetutën. Hera e fundit kur Kuvendi ka folur për imunitetin parlamentar ka qenë viti 2012. Kam qenë ministër i Drejtësisë dhe kam udhëhequr procesin. Ne miratuam zhveshjen nga imuniteti për deputetët dhe gjyqtarët dhe që atëherë nuk është ndryshuar neni 73 i Kushtetutës që i jep një mbrojtje imunitare në të cilën nuk përfshihet pezullimi. Çdo lloj ndryshimi që do të bësh në Kodin e Procedurës, GJKKO do të zbatojë drejtpërdrejt Kushtetutën dhe maksimalisht do e çojë çështjen për kontroll incidental në Kushtetuese.” – shtoi Halimi.
Gazeta RD