Shteti ligjor në Shqipëri ka përfunduar në një paradoks të turpshëm, ku dora e majtë e drejtësisë lëshon urdhër-arreste, ndërsa dora e djathtë shpërndan miliona euro.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, nën drejtimin e Ilir Rusit, ka vulosur një skandal të paprecedentë duke i dhënë një tender me vlerë 3.1 milionë euro kompanisë “Soft & Solution”. Pronari i kësaj kompanie, Ermal Beqiraj, nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi ai rezulton të jetë në kërkim zyrtar për llogari të hetimeve të SPAK-ut.
Ndërkohë që agjentët e policisë duhet të trokasin në derën e tij për ta arrestuar, zyrtarët e KLGJ-së i dërgojnë në llogari miliona euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Analiza e dokumentacionit të këtij tenderi me numër reference REF-51102-06-13-2025 zbulon hapur se nuk kemi të bëjmë me një garë, por me një proces të manipuluar në mënyrë skematike. Në këtë procedurë “mbi kufirin e lartë monetar”, kanë marrë pjesë tre operatorë, por ajo që bie në sy është prezenca e një kompanie që ka ofruar vlerën zero lekë.
Kjo është një teknikë e vjetër e tenderave të paracaktuar, ku pjesëmarrësit fiktivë futen vetëm sa për të plotësuar numrin ligjor të garuesve, duke i lënë rrugën e lirë fituesit që është përzgjedhur nëpër zyrat e KLGJ-së.
Gazeta RD